
Halil Matoshi nuk i ktheu laptopin dhe telefonin, të blera me buxhetin e shtetit
Ish-këshilltari i ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, Halil Matoshi, nuk i ka kthyer një laptop dhe një telefon pas përfundimit të mandatit në Qeveri.
Përmes kërkesës për qasje në dokumente publike KALLXO.com ka siguruar listën e pajisjeve teknologjike të blera me paratë e buxhetit të shtetit për stafin politik e Zyrës së ish-kryeministrit Haradinaj.
Në këtë listë figuron edhe Halil Matoshi, i cili ka qenë këshilltar i Ramush Haradinajt në kohën sa ky, për dy vjet, e drejtoi Qeverinë e Kosovës.
Sipas listës së siguruar nga KALLXO.com, Matoshi posedonte një laptop “Lenovo” si dhe një telefon “Samsung A5”.
Qeveria e re e Kosovës thotë se këto pajisje të blera me buxhetin e shtetit nuk janë kthyer nga Halil Matoshi.
KALLXO.com ka kontaktuar Matoshin, por ai ka thënë se është i zënë, në spital, dhe se nuk mund të komentojë.
Pajisjet nuk i ka kthyer as shefi i kabinetit të Haradinajt, Gani Demaj.
Qeveria e kaluar e ka përfunduar mandatin me 3 shkurt të këtij viti.
KALLXO.com ka shkruar që telefonët e laptopët figurojnë që nuk i kanë kthyer as Fatmir Limaj, Enver Hoxhaj e Bujar Bukoshi.