Ekspozita "FLATRAT e nGRIRA"/ Foto: Edmond Rexhepi

Hazir Reka “ngrin” historinë në “FLATRAT e nGRIRA”

Zilja e fortë e shkollës ia merr anën pëshpërimës së diskutimeve të mysafirëve derisa me sytë katër po shikonin fotografitë e varura në zinxhir. Muhabetet për një moment ndalen dhe e gjithë vëmendja përqendrohet në korridor krejt afër hyrjes pasi fotoreporteri i luftës, Hazir Reka, e luan punëtorin teknik të shkollës së artit “Çesk Zadeja” natën e 28 Nëntorit në Ferizaj. Anash e prapa shpinës së mysafirëve, shfaqen 20 fotografi të shkrepura nga Reka. Kryetemë, sfondi i kuq dhe shkaba e zezë dykrenore.

“Lidhja e kornizave të fotografive me zinxhirë na shpërfaq kuptimin e zhvillimeve shoqërore për tri dekada, që ka rrugëtuar në mënyrë të tillë, që prej lëvizjeve të ish-aktivistëve për liritë dhe të drejtat e njeriut, demonstratave dhe kundërshtimit të të gjitha formave të regjimit të Millosheviqit”, thekson 23-vjeçarja, Laureta Osmani, derisa qëndron para njërës prej fotografive të ekspozitës së Rekës, “FLATRAT e nGRIRA”, ende pa u hapur në objektin e shkollës së parë shqipe në Ferizaj.

Në fotografi, shihen viktimat e dëshmorët shqiptarë të luftës të mbështjellë me flamurin kombëtar. Edhe ushtarët amerikanë në paqe dhe shqiptarët në ditët e para të Pavarësisë së Kosovës. “Dhe njëkohësisht, kjo mënyrë e lidhjes së kornizave të fotografive, dëshmon patjetërsueshmërinë, se, në të gjitha këto përjetime ne ishim të prangosur – ne, shkollimi, punësimi, mirëqenia, dëshirat e ëndrrat tona, dhe magnetizmi UÇK, qe unifikimi më i suksesshëm që nxori popullin e Kosovës nga zinxhirët e Jugosllavisë”, thekson Osmani.

Foto: Edmond Rexhepi

Në të vërtetë, kryesimboli shqiptar është në çdo fotografi të ekspozitës së reporterit të luftës dhe të paqes. Në zi a festë. Kombëtari shoqërohet herë me atë amerikan, herë me atë të Kosovës e në një protestë para suprimimit të autonomisë së Kosovës më 1989 nga Sllobodan Millosheviqit edhe me atë të Jugosllavisë më 1988. “Flamuri kombëtar është gjithkund”, thotë Reka në një intervistë për KALLXO disa orë para hapjes së ekspozitës në qytetin e tij të lindjes.

Në flamur “ngrihet gjaku”

“Shteti është brend, kurse flamuri fotografi – ikonë e tij”, lexon publicisti Halil Matoshi pjesën e tij të tekstit të shkruar në broshurë në hapje të “Flatrave…”. “Maestro Reka nuk na flet për flijimet e shqiptarëve për me mbrojtë lirinë dhe kriju shtetin e tyne, por ai e ndal kohën mes dy rrehjeve të flatrave, të shkabës dykrenshe, e na në atë interval kohe e shohim dhunën, dekën, lotët, zinë. Aty (n)grihet gjaku”. Në dysh është shkaba e zezë në gjembat afër Pikës 6 të UÇK-së në Jezerc. “Sa artistike duket, edhe me vizatu nuk kishte mujtë”, thotë Reka, para fotografisë.

Foto: Edmond Rexhepi

Por, Reka ka “ngrirë” momente prej zisë e varrimeve të shqiptarëve prej nisjes së shkërmoqjes së përgjakshme të ish-Jugosllavisë në Kosovë deri në ditët e para të Pavarësisë së Kosovës, si shteti i fundit që me luftë doli prej saj. “Krejt qyteti duhet me ardhë me pa, sidomos rinia, për me ditë kah kemi ardhë për mos me humbë udhën”, ka thënë Shemsije Gashi, arsimtare biologjie në shkollën “Ganimete Tërbeshi” para fotografisë së Rekës në Likoshan ku më 1998, Reka do ta fotografonte baba Sheremet Sejdiun mes katër djemve të tij të vrarë.

“Është interesant se Sheremeti ishte jashtë në oborr, dhe unë e luta, edhe pse ishte e randë, a ka mundësi me hy në odë me ba një fotografi”, rrëfen Reka për burrin këmbëkryq midis katër të bijve, mbështjellë me flamuj kombëtarë.

“Çfarë burri i fortë”, thotë se Shyrete Ramadani, kolege e pensionuar e Gashit në “Ganimete Tërbeshi” derisa shikojnë fotografitë mureve të ndërtesës së ndërtuar më 1928. Pastaj përpihet. “Këtë fotografi e kishte ba të madhe dhe e kishte vendosë në të njëjtën odë”, tregon Reka, duke iu referuar Sheremet Sejdiut. Reka viteve të fundit ka nisur t’i vizitojë familjet e viktimave dhe dëshmorëve që i kishte fotografuar gjatë luftës.

“A fotografohet koha? Reka na e bën të mundshme”.

Reporteri i agjencisë së lajmeve Reuters në kohën e luftës, ngjashëm e viziton çdo përvjetor Reçakun, ku në mesjanarin e acartë të ’99-s do të faktonte masakrimin e mbi 40 civilëve shqiptarë. “Këtu janë viktimat me flamuj në xhami pasi i kanë sjellë nga morgu”, thotë Reka. “Këtu e kam pa edhe Ahmet Kaçikun – dhe e kam një fotografi të tij – para se të binte dëshmor në Reçak”.

“Flamuri mbulon dëshirat si dëshmorët, ai e mbron zjarrin e lirisë, me e majtë gjallë”, lexon Matoshi rreshta të fjalimit të shkruar për ekspozitën.

“Pamjet me flamur janë kohnat e shqiptarëve t’fotografueme, janë gjyshat dhe breznitë e humbuna, janë andrrat! A fotografohet koha?” – ndalet Matoshi për ta rritur vëmendjen. “Reka na e bën të mudshme”, thotë Matoshi, duke ua shpjeguar të pranishmëve arsyen  e mbiemrit të “Flatrave”. “Kjo n-ja e ndarë (nGRIRA, vërejtja jonë) është se fotografitë janë për kohë kur shqiptarët janë grirë”, thotë Matoshi.

Foto: Edmond Rexhepi

Në fotografitë e viteve të para të lirisë dominojnë rivarrimet dhe protestat e familjeve të personave të pagjetur. Fotografitë janë shkrepur prej vendeve e këndeve të ndryshme, si njëra nga dritarja rrethore e pullazit të ndërtesës së ish-hotelit të privatizuar “Union” në zemër të Prishtinës. “Por kjo thellësi përkon me atë fatin e panjohur të të zhdukurve”, thekson Reka. Prapë dominon flamuri kombëtar.

Ama po në të njëjtin vend, por sipër pullazit, Reka ka “ngrirë” në një kompozicion simetrik festën e disa të rinjve,  të cilët derisa Kosova ende nuk e dinte se cili do të ishte flamuri i saj, po binin në sy me flamurin kombëtar pas shpalljes së republikës më të re në Evropë. Me rënien e territ, në 17 Shkurtin e Pavarësisë së Kosovës, Reka prapë flamurin kombëtar do ta kishte kryesubjekt. Shoqëruar me të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Tash edhe unë kam shtet”, shkruan në xhemperin e një rioshi mjekrosh derisa lart valojnë dy flamujt aleatë.

“Të folunit pa za” i dokumentuesit të luftës

“Edhe tjerët më kanë thënë pse jo flamurin e Kosovës, por ende nuk kishte flamuj Kosove në shesh se vonë doli flamuri i Kosovës”, thekson Reka. Por, mëngjesin e asaj të diele të ftohtë shkurti, Reka do të merrte rrugë drejt qytezës së grykës për ta “arkivuar” sesi kaçanikasit kishin vendosur dhjetëra flamuj kombëtarë në dy krahët e urës dhe vetëm një të Shteteve të Bashkuara.

Gjatë ditëve të para të Kosovës së pavarur, Reka do të udhëtonte kastile qyteteve e fshatrave të ndryshme për të shkrepur fotografi që do të përthekonin çaste feste e mesazhe që përçoheshin me “flatrat kuqezi”.

Foto: Edmond Rexhepi

Piktorja Lebibe Topalli ka thënë se Reka ka përçuar frymën e luftës dhe të paqes, me flamurin kuqezi si kryemotiv. “Kjo ekspozitë është e mirëseardhur për të gjithë ne që kemi ardhur, por sidomos për nxënësit e kësaj shkolle, të cilët do të shijojnë këto vepra artistike, sepse, jo, këto nuk janë vetëm fotografi, por ky është arti i Hazirit, dhe është një art unik, sepse çdo fotografi bart një mesazh, dhe ka një shpirt të Hazirit brenda këtyre fotografive”.

“Tregimi i Hazir Rekës me flamurin e shqiptarëve ashtë të folunit e tyne pa za, me dritëhije, si reflektim i mësymjeve, dhimbjes dhe trishtimit”, thotë Matoshi. “Por edhe triumfit. Gëzimit. Në liri”.