Qeveria thotë se shefi i kabinetit të Haradinajt nuk i ktheu 3 telefonë, ipadin dhe laptopin

Shefi i kabinetit të ish kryeministrit Ramush Haradinajt, Gani Demaj, sipas një dokumente të Qeverisë së Kosovës, të cilin e posedon KALLXO.com, nuk i ka kthyer 3 telefonë, një laptop dhe një ipad.

KALLXO.com përmes kërkesës për qasje në dokumente publike ka siguruar listën e stafit politik të zyrës së ish kryeministrit Ramush Haradinajt, që kanë poseduar pajisje të teknologjisë, që janë blerë nga buxheti i shtetit.

Në këtë listë figuron edhe Gani Demaj, që ka qenë shef i kabinetit.

Ai posedon një Iphonë X, një Samsung J6, një Samsung A5, një Ipad dhe një laptop. Emri i tij në këtë listë figuron se ai nuk i ka kthyer këto asete, ndonëse mandati i tij ka përfunduar me 3 shkurt.

I kontaktuar nga KALLXO.com, Demaj thotë se të gjitha pajisjet që ai i ka poseduar i ka kthyer në Qeverinë e Kosovës.

Asetet që i takojnë Qeverisë

“Krejt çka kemi pasë me i dorëzu, i kemi dorëzu. Nuk e di çfarë të dhënash keni marrë ju, bisedoni me zyrtarët e Qeverisë”, tha shkurtimisht Demaj për KALLXO.com

Këto të dhëna, KALLXO.com ka i marrë përmes kërkesës për qasje në dokumente publike. Përgjigja nga zyra e Kryeministrit është dhënë me datën 19 shkurt të këtij viti.

Një ri-konfirmim nga KALLXO.com është bërë edhe me datën 20 shkurt, por nga Zyra e Kryeministrit nuk kanë njoftuar që Demaj i ka kthyer pajisjet me të cilat ka qenë i ngarkuar.

Qeveria e kaluar e ka përfunduar mandatin me 3 shkurt të këtij viti.

KALLXO.com ka shkruar që telefonët e laptopët figurojnë që nuk i kanë kthyer as Fatmir Limaj, Enver Hoxhaj e Bujar Bukoshi