Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Greva 'i shtynë' rastet me COVID-19, nuk publikohen në orarin e përcaktuar

Çdo ditë në ora 15:00 Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i publikon rezultatet nga mostrat e testuara për coronavirus në nivel vendi, mirëpo një gjë e tillë nuk është bërë sot.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike së bashku me të gjitha institucionet tjera shëndetësore në vend nga ora 7:00 deri në orën 15:00 kanë qenë në grevë për shkak të mos përfshirjen në Projektligjin e pagave të rregullta për sektorin publik si dhe mos implementimin e Ligjit të pagave nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Sipas burimeve të KALLXO.com brenda Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike për shkak të grevës tetë orëshe të mbajtur sot, rezultatet e rasteve me COVID-19 nuk janë publikuara në orarin e përcaktuar.

Sipas të dhënave të publikuara dje nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në nivel vendi janë 327 raste aktive me SARS-CoV-2.

Deri më tani në nivel vendi janë infektuar 161 mijë e 49 qytetarë prej tyre 2 mijë e 983 kanë vdekur përderisa 157 mijë e 743 janë shëruar.