Rrethojat e një burgu - Foto: REL/Shutterstock

Greva e të burgosurve, reagon KMDLNj

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka reaguar rreth grevës të të burgosurve pas kërkesave të tyre në lidhje me faljen e dënimeve nga ana e presidentit.

“Sipas informatave të KMDLNj –së,  të dënuar dhe të paraburgosur përkatësisht 40 të dënuar dhe dhjetëra të paraburgosur (janë solidarizuar me të dënuarit), nga data 20 prill 2020 kanë hyrë në grevë urie duke e refuzuar marrjen e ushqimit si revoltë dhe shprehje të pakënaqësisë që është refuzuar lirimi i tyre, qoftë i menjëhershëm apo edhe i përkohshëm”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.

Sipas reagimit, të burgosurit kanë shprehur revoltën kundër Qeverisë së Kosovës dhe presidentit të Kosovës që nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim për kërkesat e tyre për falje të dënimeve.

“Të burgosurit në Qendrën e Paraburgimit në Hajvali, përmes një letre dërguar KMDLNj –së kanë deklaruar se janë të frikësuar për shëndetin e tyre dhe të familjeve aq më parë që më nuk kanë vizita dhe komunikimin me familje e bëjnë vetëm përmes telefonit dhe skyp-it. Ata deklarojnë se, në kohë të pandemisë po u shkelen të drejtat e njeriut që u takojnë si persona të privuar nga liria duke marrë shembull shtetet fqinje dhe ato evropiane që kanë ofruar shumë opsione për të burgosurit kurse Kosova nuk ka bërë asgjë në këtë drejtim”, thuhet tutje në reagim.

Sipas KMDLNj-së, të burgosurit po kërkojnë falje të menjëhershme ose të përkohshme të dënimit.

“KMDLNj ka kontaktuar Qendrën e Paraburgimit në Hajvali të cilët kanë deklaruar se një pjesë e të burgosurve është në grevë dhe se autoritetet e Qendrës së Paraburgimit në Hajvali po sillen me të privuarit nga liria në përputhje me rregullat e Grevës së Urisë e që ka qenë edhe kërkesë e KMDLNj-së”, thuhet në njoftim.

KMDLNj gjithashtu në reagim ka thënë se kërkon që masa e paraburgimit të aplikohet vetëm si masë e skajshme dhe të zëvendësohet me masa alternative sikur që edhe disa dënime, gjithashtu duhet të zëvendësohen me masa alternative të dënimit.

KALLXO.com raportoi gjatë ditës së sotme për grevën në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë.