Grenell nuk komenton deklaratën e Trump për "vrasjet masive në mes shqiptarëve e serbëve"

Ambasadori Richard Grenell, i dërguari i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, nuk ka komentuar deklaratën e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump për ndaljen e vrasjeve në mes shqiptarëve dhe serbëve.

I pyetur nga gazetari i KALLXO.com, Grenell tha se po të mos ishte presidenti Trump, Kosova dhe Serbia nuk do të ishte këtu.

“Presidenti Trump mburret me këtë marrëveshje, mos harroni se nuk do të ishim këtu po të mos ishte ai. Ai tha: “Hajde të bëjmë diçka ndryshe për qytetarët!”. Ai na thirri në Zyrën Ovale dhe na tha: “Shkoni, mos i lini vetëm fjalë!”. Ai është president i orientuar në veprime”, tha i dërguari i Trump për dialogun Kosovë-Serbi.

Në një tubim zgjedhor, presidenti Donald Trump tha se administrata e tij ka arritur “të ndalë vrasjet masive mes Kosovës dhe Serbisë“.

Ambasadori Grenell po kryeson një delegacion të lartë të Qeverisë amerikane, i cili me Qeverinë e Kosovës nënshkroi një marrëveshje për nxitje të investimeve.