Foto: ZKM

Nënshkruhet marrëveshja mes Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë amerikane

Qeveria e Kosovës ka nënshkruar marrëveshje me delegacionin e lartë të Qeverisës amerikane, i prirë nga ambasadori Richard Grenell, i dërguari i posaçëm i presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi.

Marrëveshja është nënshkruar në ambientet e Qeverisë së Kosovës nga kryeministri Avdullah Hoti dhe zyrtari i lartë amerikan Adam Boehler, kryeshefi ekzekutiv i Koorporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA.

Hoti e Boehler kanë nënshkruar Marrëveshjen e re për nxitje të investimeve Kosovë-SHBA.

Kjo është përmbajtja e plotë e dokumentit të nënshkruar:

DEKLARATË E PËRBASHKËT E KOSOVËS DHE SHBA-SË

Ne, Avdullah Hoti, kryeministër i Republikës së Kosovës, dhe Adam S. Boehler, Kryeshef Ekzekutiv i Korporatës Financiare amerikane për Zhvillimin Ndërkombëtar, e përshëndesim përmbylljen e shpejt të Marrëveshjes së re Kosovë-SHBA për Nxitjen e Investimeve. E ndajmë dëshirën që kjo marrëveshje të nënshkruhet sa më shpejt të jetë e mundur dhe të hyjë në fuqi në të ardhmen shumë të afërt, pas përmbylljes së procedurave tona të brendshme.

Marrëveshja e re Kosovë-SHBA për Nxitjen e Investimeve pritet që të ofrojë qasje në gamën e plotë të përkrahjes në investime, ofruar nga Korporata Financiare amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, ashtu si edhe të përcaktojë veprimet lidhur me mbështetjen e Korporatës për projektet në Kosovë dhe trajtimin prej Kosovës të tyre.

Pas normalizimit historik ekonomik mes Serbisë dhe Kosovës, për të cilën u arrit marrëveshje më 4 shtator të 2020-s në Washington, D. C, Kosova dhe Serbia synojnë të avancojnë negociatat, pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së re Kosovë-Serbi për Nxitjen e Investimeve, lidhur me projektet e rëndësishme brenda Kosovës, përfshirë projektet për të cilat ka marrëveshje të jenë pjesë e normalizimit ekonomik mes Serbisë dhe Kosovës.

Kosova dhe SHBA-ja synojnë të zbatojnë me besnikëri Marrëveshjen e re Kosovë-SHBA për Nxitjen e Investimeve. Duke e zbatuar besnikërisht këtë marrëveshje, të dyja shtetet pritet t’i identifikojnë projektet që fuqizojnë më tej integrimin ekonomik dhe zhvillimin në rajon.

Mirëpresim këto arritje si dëshmi konkrete të fuqisë së raporteve mes dy vendeve tona.

Prishtinë, 21 shtator 2020

Foto: ZKM

 

Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes ka marrë pjesë edhe presidenti Hashim Thaçi e kryekuvendarja, Vjosa Osmani.

Marrëveshjet e nënshkruara sot janë në vazhdën e marrëveshjeve të nënshkruara mes Kosovës dhe Serbisë më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve.