FOTO: Valeri Qatani - KALLXO.com - 02.07.2024

Grabitja e armatosur në Suharekë - Çka thotë dosja e Prokurorisë për Korab Gashin

Korab Gashi është personi i pestë i arrestuar nën dyshimin se mori pjesë në grabitjen e armatosur në Suharekë e cila ndodhi më 22.11.2023.

Ai sot ka dalë para gjyqtarit të procedurës paraprake pasi Prokuroria e Prizrenit ka kërkuar masën e paraburgimit për Gashin, i cili kishte tash e disa muaj që po kërkohej me urdhërarrest.

KALLXO.com ka arritur që të siguroj kërkesën për caktimin e masës së sigurisë ndaj Gashit, i cili u dërgua në Gjykatën e Prizrenit nën masa të rrepta të sigurisë.

Ai u dërgua në gjykatë nën përcjelljen dhe monitorimin edhe të njësisë speciale FIT.

KALLXO.com është para gjykatës ndërsa nuk është lejuar që të hyjë brenda ekipi për shkak të arsyetimeve se rasti konsiderohet me rrezikshmëri të lartë.

Në anën tjetër në dosje përshkruhen të gjitha veprimet që pretendohet se ka kryer Korab Gashi bashkë me pesë persona të tjerë, të pandehur, Bujar Bashën, Besart Istrefin, Leutrim Cakollin dhe Dukagjin Gashin, i cili ishte vrarë gjatë një aksioni të policisë pikërisht në lidhje me grabitjen në Suharekë.

Dosja e prokurorisë shpjegon se më 22.11.2023 në ora 15:45 në qytetin e Suharekës, në rrugën “Brigada 123”, duke përdorur forcën dhe kërcënimin kanë hyrë brenda argjendarisë “Diakos”, grabisin pasuri të paluajtshme nga T. B. dhe A. B.

Gjithmonë sipas dosjes së prokurorisë, Bujar Basha, Besart Istrefi, Korab Gashi, Dukagjin Gashi dhe Leutrim Cakolli që të gjithë të maskuar, të veshur me rroba të zeza dhe me doreza në duar, të gjithë të pajisur me armë frontale të gjata, njëri prej tyre me armë të gjatë në duar kryen rolin e rojës ndërsa të tjerët futen brenda në argjendari dhe nën kërcënimin e armëve marrin peng pronarin e lokalit të cilin e lidhin me lidhëse plastike për të neutralizuar rezistencën e tij.

Tutje dosja përshkruan se të dyshuarit pastaj fillojnë me grabitjen e arit duke demoluar vitrinat, xhamat dhe arrijnë të marrin ari duke shkaktuar humbje në shkallë të madhe dhe ashtu të maskuar dhe me armë të gjata në duar, me veturë largohen në drejtim të rrugës “Avdyl Rama” për të vazhduar nga fshati Sopijë, tutje në drejtim të fshatit Budakovë, që lidhet me fshatin Jezercë të Ferizajt, nga ku edhe bëhen të pa arritshëm.

Vetëm tetë ditë më vonë, ose më saktësisht më datë 30.11.2023, Policia e Kosovës me anë të një aksioni arrin që të arrestoj Bujar Bashën, Besart Istrefin dhe Leutrim Cakollin, ndërsa i pandehuri Korab Gashi arrin t`i shmanget policisë dhe që nga ajo kohë ka qenë në arrati.

Me këto veprime, Gashi dyshohet se ka kryer veprën penale të grabitjes.

Tutje siç thuhet në dosjen e hetimit që ka siguruar KALLXO.com, Gashi me datë 16.11.2023, me dashje kishte ndihmuar, Bashën, Istrefin e Cakollin duke marrë fillimisht me qera një automjet dhe me të shkon në Komunën e Deçanit dhe bën blerjen e automjetit Chervolet, me qëllim që të pandehurit të njëjtin automjet ta përdorin në kryerjen e grabitjes në argjendarin “Diakos” në Komunën e Suharekës.

Më datë 27.11.2023 prokurori i shtetit ka zgjeruar hetimin ndaj të pandehurit Korab Gashi, për shkak të dyshimit të arsyeshëm se ka kryer vepër penale të grabitjes.

Prokuroria ka kërkuar masën e paraburgimit për Gashin duke thënë se edhe pse të njëjtit i dihet identiteti edhe vendbanimi, për shkak të dënimit që i kanoset për këtë vepër penale i pandehuri ka qenë në arrati nga koha e kryerjes së veprës penale dhe prokurori i shtetit më datë 06.12.2023 ka bërë kërkesë për urdhërarrest pasi i njëjti më datë 30.11.2023 i është shmangur arrestimit dhe i pandehuri ka penguar rrjedhën normale të procedurës penale.

Tutje thuhet se, prezenca e Gashit vështirë se do të mund të sigurohej për zhvillimin e procedurës së kësaj çështjeje penale, po ashtu edhe gjatë ditës së arrestimit ka dhënë rezistencë, me ç’rast nga këto rrethana do të pamundësohej zhvillimi normal i procedurës në këtë çështje penale, e duke u bazuar se i pandehuri ka qenë në arrati dhe i kërkuar sipas urdhërarrestit të lëshuar nga gjykata, të njëjtit duhet t`i caktohet masa e paraburgimit dhe me këtë të mos e  pengojë rrjedhën normale të procedurës penale.

Policia arreston Korab Gashin, i dyshuar për grabitjen e armatosur në Suharekë

Raportimet e KALLXO.com lidhur me rastin e grabitjes në Suharekë mund t`i lexoni duke klikuar KËTU – LINK