Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, Foto: KALLXO.com

Glauk Konjufca bleu banesë në vitin 2021, ka në bankë rreth 8 mijë euro para të gatshme

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka deklaruar se ka blerë banesë në vitin 2021, në vlerë prej 44 mijë euro, e cila ka hapësirë prej 59 metra katrorë.

Agjencia Kundër Korrupsionit ka filluar sot publikimin e deklarimit të pasurisë së zyrtarëve publik në vend.

Konjufca po ashtu ka deklaruar se ka në pronësi një banesë tjetër me sipërfaqe prej 99 m2, që e ka blerë në vitin 2018, në vlerë prej 89 mijë e 100 euro. Sipas deklarimit, në emër të prindit të tij është edhe një banesë tjetër prej 115 m2, në vlerë prej 92 mijë euro.

Në emër të prindit, Konjufca ka deklaruar po ashtu një tokë të trashëguar, 95 ari, që e ka vlerën 30 mijë euro.

Ndërsa me pronësi të përbashkët, Kryetari i Kuvendit ka deklaruar një shtëpi vikendi plus tokë prej 16 ari, që në total të dyjat kanë vlerën prej 70 mijë euro.

Në vitin e kaluar, në rubrikën e ‘pasurisë së paluajtshme’ Konjufca kishte deklaruar vetëm një banesë prej 100 m2, në pronësi të tij, me vlerë prej 67 mijë e 125 euro.

Kurse sa i përket parave të gatshme në banka, kryekuvendari ka deklaruar se në emër të tij i posedon 8 mijë e 243 euro, për dallim prej vitit të kaluar që kishte deklaruar se i ka në bankë 5 mijë e 449 euro para të gatshme.

Konjufca gjithashtu ka kredi në bankë, e cila e ka kohëzgjatjen prej 12 viteve, ndërsa vlera e kredisë, sipas deklarimit, është 67 mijë e 125 euro.

Sa i përket pagave, Glauk Konjufca ka deklaruar se merr pagë vjetore prej 26 mijë e 373 euro si Kryetar i Kuvendit. Një pagë tjetër nga partia e tij, Vetëvendosje, prej 4 mijë e 952 euro. Për këtë pagë, Konjufca ka deklaruar se janë të hyra para se të marrë detyrën e Kryetarit të Kuvendit.

Si dhe ka deklaruar mëditje që ka marrë nga Kuvendi, në vlerë prej 962 euro.

Ndërsa në emër të bashkëshortes së tij, ka deklruarar një pagë nga një bankë private, prej 2 mijë e 100 euro.