Gjykimi për masakrën e Izbicës, dëshmon djali i dëshmorit se çka dëgjoi gjatë luftës

Në Gjykatën e Prishtinës sot vazhdoi gjykimi për masakrën e Izbicës ku Muhamet Alidemaj po akuzohet nga Prokuroria Speciale të ketë qenë pjesëmarrës.

Në seancën e sotme u dëgjua rrëfimi i dëshmitarit B.D., i cili tha se kishte qenë 13-vjeçar kur kishte mbijetuar masakrën në të cilën kishte humbur katër anëtarë të familjes, ndër ta babain e tij, i cili kishte qenë ushtar.

Përgjatë rrëfimit të tij ai tregoi se si të gjitha shtëpitë e fshatit Tushlicë kanë qenë të djegura përveç ato të të afërmve të Alidemës.

“Të gjitha shtëpitë e katunit kanë qenë të kallura përveç atyre që i ka pasur diçka ky i akuzuari” tha dëshmitari.

“Emrin nuk ia di por mbiemrin ia di saktë – Alidemaj. Është nip i atyre që nuk i janë kallë shtëpitë dhe jemi bindur që ky ka qenë pjesëmarrës në masakrën e Izbicës. Nuk ka ndodhur që një shtëpi ose dy të shpëtojnë nga djegia e që të gjitha të tjerat të djegën”- shtoi tutje dëshmitari.

Pyetje e përsëritur në zbardhjen e kësaj çështje e cila i bëhet dëshmitarëve është ajo e gjuhës së cilën ata e kanë dëgjuar duke u folur gjatë masakrës.

Përveç gjuhës serbe, dëshmitari sot tha se ka dëgjuar edhe gjuhën shqipe duke u folur nga persona të cilët po merrnin pjesë në masakër.

“Kanë folur edhe në gjuhën shqipe. Ai që ka folur në gjuhën shqipe ka qenë i armatosur me kallash, me uniformë ushtarake dhe me maskë që i shiheshin vetëm sytë”-ishte përshkrimi që i dha dëshmitari këtij personi.

Ndërkaq, gjatë marrjes në pyetje nga kryetari i trupit gjykues Vesel Ismaili, dëshmitari tha se njeh personin i cili e kishte parë Alidemën me uniformë serbe.

“Ka njerëz që kanë thënë se ky ka qenë në uniformën serbe dhe këtë që po e them e dijnë krejt rrethi i tij” tha dëshmitari.

Lidhur me këtë deklaratë trupi gjykues kërkoi nga dëshmitari që këtë person ta bëjë të njohur për gjykatën në mënyrë që të ftohet në gjykim.

Si përfundim, emri i këtij personi u shkrua në një copë letër e cila mbeti në posedimin e trupit gjykues.

Trupi gjykues deklaroi se pas verifikimit të këtij personi, ai do të ftohet sipas detyrës zyrtare të dëshmojë në këtë çështje penale.

Në këtë çështje trupi gjykues është në përbërje prej Vesel Ismailit – kryetar dhe anëtarëve Violeta Namani dhe Suzana Qerkini.

Në këtë seancë pyetje i parashtruan anëtarët e trupit gjykues dhe Prokurori Atdhe Dema.

Ndërsa mbrojtja e të akuzuarit me avokatët Dejan Vasiq dhe Millosh Dejeviq tentuan t’i parashtrojnë pyetje, por atë pasi u kishte kaluar rendi i paraparë ligjërisht.

Avokati Dejeviq bëri të ditur se mbrojtja i ka propozuar plot 16 dëshmitarë për të vërtetuar alibinë e Alidemës.

Seanca e radhës u caktua të mbahet me datë 3 nëntor.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, i akuzuari Muhamet Alidemaj ka kryer veprën penale – krime kundër popullatës civile në Kosovë gjatë kohës së luftës.

I njëjti sipas aktakuzës më 28 mars 1999 së bashku me forcat ushtarake dhe policore serbe kishin zbritur nga mali për t’u nisur në drejtim të fshatit Izbicë, me të arritur në fshat të njëjtit shkuan në shtëpinë e të dëmtuarës Xh.O., ku nga kjo e fundit morën shumën prej 1,000 marka gjermane e më pas i vunë flakën pasurisë së të dëmtuarës. Nën kërcënim të armës të njëjtën e kanë detyruar që t’i prijë gjatë kontrollit të shtëpisë së saj.

Tutje Alidemaj së bashku me ushtrinë dhe policinë serbe shkojnë te livadhi ku ishin të grumbulluar popullsia civile, duke përdorur dhunë, bëjnë ndarjen e grave dhe fëmijëve nën moshën 12-vjeç e dhunshëm i detyrojnë që të shkojnë në Shqipëri.

Ndërsa burrat i ndajnë në grupe dhe bëhet ekzekutimi i tyre me armë automatike, duke vrarë rreth 130 persona, ndërsa kishin arritur që të shpëtojnë vetëm 12 civilë.

Dy muaj pas këtij veprimi i akuzuari së bashku me pjesëtarët e tjerë të forcave serbe u kthye përsëri në fshat, i zhvarrosën trupat me ekskavator dhe i larguan duke i transportuar me disa kamionë në drejtim të panjohur. Ndërsa pas përfundimit të luftës trupat u gjendën në varrezat masive të Batajnicës, në Serbi.