Gjykimi ndaj ish-drejtorit të Kadastrit, propozohen prova të reja

Në Gjykatën e Mitrovicës ka vazhduar gjykimi ndaj Branisllav Klajiqit, ish- drejtor i Kadastrit në Komunën e Mitrovicës Veriore, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas Prokurorisë së Mitrovicës, Klajiq akuzohet se prej vitit 2013 e tutje, në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë për Kadastër dhe Gjeodezi në Komunën e Mitrovicës Veriore nuk i kishte përmbushur detyrat zyrtare me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vete ose personin tjetër.

Sipas aktakuzës, pasi i dëmtuari Izet Maxhera, në vitin 2012, nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, kishte blerë një lokal afarist “Teuta Bare”, në rrugën “Ivo Lola Ribar”, e cila gjendet në pjesën veriore të Mitrovicës, kishte bërë kërkesë në Zyrën kadastrale të kësaj Komune për të regjistruar pronën dhe pasi nuk kishte marrë përgjigje i ishte drejtuar Agjencisë Kadastrale të Kosovës (AKK) për regjistrimin e pronës.

Gjithnjë sipas aktakuzës, AKK-ja kishte sjellë konkluzion se Drejtoria për Kadastër në Komunën e Mitrovicës Veriore kishte bërë heshtje administrative në kundërshtim me Ligjin për themelimin e regjistrit të drejtave të pronësisë së paluajtshme.

Kurse i pandehuri Branisllav Klajiq nuk e kishte zbatuar vendimin e AKK-së dhe të dëmtuarit Izet Maxhera i kishte shkaktuar dëm në vlerë prej 67.061,22 euro.

Me këtë, Klajiq akuzohet se ka kryer veprën penale -keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Gjykimi ndaj Klajiq po vazhdon në Gjykatën e Mitrovicës, ndërsa në seancën ku ishte paraparë që të administroheshin provat, avokati i të pandehurit, Dejan Vasiq, ka propozuar që të administrohen si provë një marrëveshja e lidhur ndërmjet avokatëve Nebojsha Vllaiq dhe Lubomir Pantoviq dhe të dëmtuarit Izet Maxhera.

Sipas avokatit, personat Vllaiq dhe Pantoviq e kishin pranuar që në mënyre të paligjshme kanë përdorur atë lokal (lokalin e të dëmtuarit) pra sipas tij, ata kanë pranuar se ne mënyrë të kundërligjshme kanë përdorur lokalin dhe se ata ishin përgjegjës për dëmin, andaj avokati Vasiq ka kërkuar që të sigurohet kjo marrëveshje pasi në akuzë ceket përfitimi i paligjshëm i dobisë pasurore.

Prokurorja Fetije Bajrami – Shala dhe i dëmtuari Maxhera e kanë kundërshtuar këtë propozim, pasi sipas tyre ajo marrëveshje është bërë ndërmjet palëve dhe është një rast i ndarë nga ky për të cilin akuzohet Klajiq.

Po ashtu i dëmtuari Izet Maxhera ka thënë se kompensimin e dëmit, për shkak të pamundësisë për të shfrytëzuar lokalin e tij e kërkon nga Komuna e Mitrovicës Veriore dhe i pandehuri.

Trupi gjykues me kryetar Bekim Veliqi kanë aprovuar propozimin e avokatit Vasiq që të sigurohet vendimi mbi arritjen e marrëveshjes në Qendrën e ndërmjetësimit në Mitrovicë si dhe të sigurohet edhe kallëzimi penal për natyrën e veprës penale që akuzohen personat të cilët janë të përfshirë në marrëveshje.

Ndërsa me qëllim të sigurimit të provës së propozuar, seanca është shtyrë, ndërsa ajo e radhës është caktuar për në shkurt të vitit 2021.