Foto: KALLXO.com

Gjykimi i Remzi Shalës për krime lufte, Ganimete Përteshi tregon momentin kur vjehrri i saj u mor nga shtëpia

Një dëshmitare, e cili po dëshmon në gjykimin e ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Remzi Shala, i njohur në kohën e luftës me nofkën “Molla e Kuqe”, rrëfeu para trupit gjykues në Prizren momentin se si nga shtëpia ishte marrë Haxhi Përteshi.

Remzi Shala akuzohet se në qershor të viti 1998 bashkë me disa persona të tjerë – pjesëtarë të UÇK-së, kanë privuar nga liria Haxhi Përteshin, i cili disa ditë më pas është gjetur i vdekur në afërsi të rrugës në fshatin Duhël.

Gjatë së mërkurës, dëshmitarja Ganimete Përteshi përpara trupit gjykues shpjegoi se në natën kritike, më 26 qershor 1998, disa burra kanë shkuar te shtëpia e tyre duke e marrë Haxhi Përteshin.

“Në oborr, në një distancë prej dhjetë metrave kam dëgjuar bisedën duke i thënë Haxhisë: “A je i gatshëm me ardhë me neve?”, ndërkaq, vjehrri (Haxhi Përteshi) u përgjigj: ”Po, jam i gatshëm!”. Unë së bashku me të tjerët kemi hy në shtëpi dhe vjehrra e ka pyet Agronin: “A i ke njohur ata burrat?”, ndërsa Agroni ishte përgjigjur: ”Po, nanë, e njoha njërin prej tyre””-deklaroi dëshmitarja.

Ganimete Përteshi mohoi vetë t’i ketë njohur këta burra, por, ajo shtoi se atë mbrëmje kishte dëgjuar Agronin duke thënë se njëri prej tyre kishte qenë “Molla e Kuqe”.

“Pasi kemi hyrë në dhomë, më kujtohet se Agroni ka biseduar me vjehrrën ku ka përmendur “Mollën e Kuqe”, mirëpo, unë nuk e di se kush janë”, tha ajo.

Dëshmitarja tha se disa ditë pas rastit kur e kishin marrë Haxhi Përteshin ky i fundit ishte gjetur i vdekur.

“Kemi prit, mirëpo, me datë 1 korrik 1998, deri sa kemi qenë në oborr kemi marrë informacion prej kojshisë se është gjetur kufoma e Haxhi Përteshit”, tha ajo.

Deklarimi i dëshmitares përfundoi me vërejtje të dhëna nga ana e Blerim Mazrekut, mbrojtës i të akuzuarit, i cili theksoi se vërejtjet e tij do t’i paraqesë në fjalën përfundimtare. Ai gjithashtu theksoi gjatë deklarimit të dëshmitares u bë presion për t’u përmendur nofka “Molla e Kuqe”.

Prokuroria Speciale po e akuzon Remzi Shalën se ka kryer krime lufte ndaj popullsisë civile.

Sipas aktakuzës të datës 19 tetor 2016, të ngritur nga prokurori vendor Haki Gecaj, Remzi Shala akuzohet se në qershor të 1998-ës bashkë me disa persona tjerë – pjesëtarë të UÇK-së kanë privuar nga liria Haxhi Përteshin, i cili disa ditë më pas është gjetur i vdekur në afërsi të rrugës në fshatin Duhël.

Sipas Prokurorisë,  Remzi Shala, i njohur me nofkën e luftës “Molla e Kuqe”, i armatosur me armë të gjatë dhe me uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës së bashku me 5-6 pjesëtarë të kësaj ushtrie të armatosur e me maska në fytyrë dhe të paidentifikuar deri tani, më 26 qershor 1998 rreth orës 23:00 për shkak të dyshimit se Haxhi Përteshi është duke bashkëpunuar me forcat serbe, kanë shkuar te shtëpia e tij duke e privuar nga liria.

“Pas mbajtjes disa ditë të mbyllur në vend të paidentifikuar me datën 1 korrik 1998 trupi i pajetë i Haxhi Përteshit është gjetur në afërsi të rrugës afër qendrës së fshatit Duhël”, thuhet në dispozitivin e aktakuzës së Prokurorisë Speciale.

Lidhur me këto akuza, më 3 korrik 2019, Remzi Shala ishte dënuar nga Gjykata e Prizrenit me 14 vite burgim.

Kurse, nga 14 vite burgim sa ishte gjykuar nga ana gjykatës së shkallës së parë, të akuzuarit Remzi Shala nga Gjykata e Apelit i ishte zbutur dënimi në 10 vite burgim.

Pas këtij vendimi, Gjykata Supreme kishte anuluar këto dy aktgjykime dhe çështja i ishte kthyer Gjykatës së shkallës së parë për rigjykim dhe rivendosje.

Kallxo.com ka raportuar për rastin në fjalë që nga janari i vitit 2017 dhe dëshmi për rastin ishin dhënë edhe në emisionin “Drejtësia në Kosovë”.

Emisionin e plotë për aktakuzën ndaj ish-ushtarit të UÇK-së Remzi Shala mund ta shikoni këtu:

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me rastin ku i akuzuar është Remzi Shala mund t’i lexoni në LINK.