Gjykimi i ish-ministres Dhurata Hoxha dhe i të tjerëve, dëshmon eksperti financiar

Në gjykimin e ish-ministres së Integrimeve Europiane, Dhurata Hoxha, dhe të pandehurve Gëzim Dushi, Fitim Mustafa dhe Ekrem Tahiri, në seancën e 04.06.2024 është dëgjuar dëshmia e ekspertit financiar, Shaip Bytyqi, i cili nga mbrojtja e të akuzuarit Tahiri ishte ftuar të elaboronte ekspertizën e tij.

I pyetur nga avokatit Driton Muharremi nëse në rastin konkret, pas analizimit të shkresave, a është dëmtuar buxheti i Kosovës dhe në rast se po sa është shuma e dëmit të shkaktuar dhe me çfarë baze eventualisht është shkaktuar ky dëm, dëshmitari Bytyqi theksoi se pasi që ka analizuar shkresat e lëndës si dhe pjesët e tjera të dokumentacionit dhe deri te përpilimi i ekspertizës ka thënë se vlera e kontratës ishte 881.389.20 euro, e vitit 2019 dhe se ka vërejtur se ka qenë e lejuar lëvizja plus minus 30%.

Tutje eksperti ka shtuar se në këtë rast buxheti nuk është dëmtuar sepse, sipas tij, është vepruar drejt me rastin e informimit në portale. “Kështu është shpenzuar vetëm 1/3 e buxhetit dhe me këtë rast nuk është dëmtuar buxheti i shtetit” – tha eksperti financiar.

Ndërsa, lidhur me implementimin në kundërshtim me kontrate dhe blerja në 17 portale dhe jo në 50 për blerjen e hapësirave mediale, eksperti theksoi se kjo kontratë kishte kohë edhe për dy vite që të implementohet dhe kjo nuk paraqet ndonjë kundërshtim me zbatimin e kontratës.

Lidhur me këtë konstatim, ai shtoi se afati kohor për përmbushje kishte qenë data 10.07.2022 dhe kjo nënkupton se ka pasur kohë me tepër se dy vite.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Fitim Mustafa, avokati Arbër Jashari, ka pyetur ekspertin lidhur me periudhën e ekzaminimit të kohës kur janë zhvilluar procedurat tenderuese, edhe pse eksperti nuk e ka përpiluar kontratën për atë kohë, por vetëm pas kontratës, se a ka hasur në ndonjë parregullsi në procedurat tenderuese.

Dëshmitari theksoi se pasi detyrat e tij ishin konkretisht të caktuara, ai nuk është lëshuar në procedurat e prokurimit, dhe me këtë do të kalonte detyrat e tij.

Seanca e radhës do të mbahet më 08.07.2024.

Prokuroria me aktakuzë pretendon se mbi 140 mijë euro të buxhetit të shtetit, të cilat ishin destinuar për informimin e drejtë të qytetarëve rreth liberalizimit të vizave, përfunduan duke promovuar fushatën elektorale të ish-ministres Dhurata Hoxha për zgjedhjet e 6 tetorit të vitit 2019.

Hetimet në lidhje më këtë rast kishin filluar pas hulumtimit të KALLXO.com dhe shkresave informuese të Zyrës Ligjore të BIRN dhe Interneës Kosova, të cilat kishin alarmuar Prokurorinë për kontratat lobuese të Ministrisë së Integrimeve Evropiane dhe dyshimeve për keqpërdorimin e qindra mijëra eurove nga kjo Ministri.

Në aktakuzën e PSRK-së përshkruhet se kompania, e cila ishte më e lira dhe që i kishte përmbushur të gjitha kriteret, ishte larguar në mënyrë të kundërligjshme nga procesi i tenderimit. Për këtë arsye për keqpërdorim të detyrës po akuzohet Fitim Mustafa, i cili ishte shef i prokurimit në MIE.

Ai po akuzohet se është përfshirë në afera korruptive në momentin kur e ka shpallur fituese kompaninë “PR Solutions” dhe jo kompaninë e cila kishte ofertuar me çmimin më të lirë.

Sipas Prokurorisë, “N.Sh. 2B” ishte eliminuar nga gara në mënyrë të kundërligjshme edhe pse i kishte plotësuar të gjitha kriteret bazë të tenderit dhe ishte për 192 mijë euro më e lirë sesa kompania e cila në fund u shpall fituese.

Kontrata me kompaninë “PR Solutions” ishte nënshkruar nga ish-ministrja Dhurata Hoxha, e cila po akuzohet se i kishte shfrytëzuar mjetet e Ministrisë për promovimin e fushatës zgjedhore.

Hoxha po akuzohet se kontratën që kishte për qëllim informimin e qytetarëve për procesin e liberalizimit të vizave e kishte përdorur për publikimin e banerëve, artikujve dhe video-spoteve që përmbanin të arriturat dhe vizionin e saj. Dëmi që Hoxha ia ka shkaktuar buxhetit të Kosovës përshkruhet të jetë mbi 140 mijë euro.

Ndërsa Gëzim Dushi akuzohet se kishte lejuar zbatimin e këtyre video-spoteve dhe banerëve ndonëse ishin në kundërshtim me qëllimin e kontratës.

Në lidhje me zbatimin e kësaj kontrate po akuzohet edhe pronari i “PR Solutions”, Ekrem Tahiri, i cili përshkruhet se kishte bërë promovimin e fushatës zgjedhore të kandidates Dhurata Hoxha edhe pse ishte në dijeni se shërbimet e ofruara ishin në kundërshtim me qëllimin e kontratës.