Foto, Hashim Thaci, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi

Gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së, mbrojtja kërkon listë paraprake të dëshmitarëve

Sot është mbajtur konferenca e radhës mbi ecurinë e çështjes në rastin kundër ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) njoftoi se procesi i nxjerrjes se materialeve për rregullën 102(1)(b) varet nga një numër i përjashtimeve diskrete.

“ZPS do ta këtë nxjerrë në përgjithësi materialin për rregullën 102(1)(b) në varësi të një numri të kufizuar të përjashtimeve diskrete që janë përshkruar në parashtrimet tona me shkrim dhe qe sot i kam përmendur”, tha prokurorja nga ZPS.

“ZPS bën kërkesë për zgjatjen e afatit deri më 27 gusht. Kemi një sfidë të konsiderueshme teknike për nxjerrjen e materialeve”, ishte deklarimi i ZPS lidhur me këtë dosje.

Ndërsa lidhur me materialin 102 (3), ZPS njoftoi se janë në një ecuri të mirë për t’i vendosur mbrojtjes në dispozicion njoftimin brenda datës 30 korrik.

Në anën tjetër mbrojtja e ka konsideruar si zvarritje nxjerrjen e materialeve nga ZPS.

Mbrojtja e Thaçit kërkoi nga gjykatësi i procedurës paraprake t’i caktojë ZPS një afat për dorëzimin e tri raporteve të ekspertëve, që paraprakisht u përmenden nga ZPS.

Mbrojtja e Kadri Veselit deklaroi se gjykata duhet të caktojë një afat, ashtu që pas atij afati të mos pranohen materialet që dorëzohen nga ZPS.

Avokati i Thaçit, Mishetiq, kërkoi që deri më 2 gusht, ZPS të paraqesë listën e dëshmitarëve që do të thirren për të dëshmuar në sallën e gjykimit.

ZPS tha se prokuroria do të mbështesë rastin e saj në dëshmitarët që ka, pa marrë parasysh se a do të thirren ata në sallën e gjykimit për të dëshmuar.

ZPS shtoi se në këtë çështje janë diku 5 dëshmitarë ndërkombëtarë.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi po akuzohen se si drejtues të UÇK-së kishin kryer krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Kosovë.

Për këto akuza ata po mbahen në paraburgim prej momentit kur ishin arrestuar në Kosovë.

Ata po akuzohen se ndërmjet marsit 1998 dhe shtatorit 1999 kishin kryer krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit, duke arrestuar dhe ndaluar persona civilë në mënyrë të paligjshme, duke i trajtuar në mënyrë mizore, torturuar dhe zhdukur.

Në mesin e shumë akuzave bëjnë pjesë edhe ato të vrasjeve të paligjshme.

Për të gjitha këto krime të pretenduara, prokurori Jack Smith i ngarkon Hashim Thaçin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin e Kadri Veselin se ishin në dijeni se këto krime ishin duke ndodhur dhe nuk kishin ndërmarrë asnjë veprim për parandalimin e tyre, mirëpo kishin nxitur kryerjen e tyre.

Në këtë aktakuzë thuhet se Thaçi dhe të tjerët nxitën sulmet ndaj kundërshtarëve dhe nxitën vrasjen e tyre.

Sipas Prokurorisë, krerët e UÇK-së përmes deklaratave publike dhe veprimeve në terren, frikësuan, denigruan, eliminuan kundërshtarë dhe kërkuan të pozicionoheshin si i vetmi zë dhe si i vetmi përfaqësues legjitim i shqiptarëve të Kosovës.

Pjesë e aktakuzës 68-faqëshe të Prokurorisë janë edhe pretendimet për vrasje të paligjshme. Këto vrasje theksohet se janë kryer në territore të ndryshme të Kosovës dhe Shqipërisë.

Sipas Prokurorisë ato janë kryer në Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Drenoc, Malishevë, Bajgorë, Majac, Zllash, Kleҫkë, Kukës dhe Rahovec.

Në aktakuzë thuhet se një person gjatë vitit 1998 ishte mbajtur në kazermat e UÇK-së në Jabllanicë dhe ishte rrahur për vdekje nga pjesëtarët e UÇK-së.

Aktakuza pretendon se fatin e njëjtë e kishin pasur edhe dy viktima të tjera të cilat ishin dërguar në kazermën e UÇK-së në Jabllanicë.

Përpos vrasjeve në Jabllanicë në aktakuzë pretendohet se në fshatin Llapushnik ishte arrestuar një person nga pjesëtarët e UÇK-së ishte rrahur dhe ishte marrë në pyetje dhjetë netë rresht ndërsa në fund ishte vrarë.

Aktakuza tutje pretendon se pas një ofensive serbe, forcat e UÇK-së në Llapushnik kishin arrestuar afërsisht 30 persona, ku disa prej tyre më pas ishin lënë të lirë ndërsa të tjerët ishin qëlluar dhe vrarë. Aty përshkruhet edhe për gjashtë vrasje të kryera në Drenoc.

Sipas Prokurorisë gjashtë burra ishin arrestuar, rrahur dhe vrarë dhe eshtrat e tyre nuk ishin parë më kurrë.

Pjesë e aktakuzës janë edhe akuzat për vrasjen e 11 civilëve serbë në Malishevë. Sipas aktakuzës në korrik të vitit 1998 një grup prej 11 të arrestuarish serbë u transferuan në një dhomë në bodrumin e një ndërtese në Malishevë.

Aty përshkruhet se këta civilë ishin rrahur dhe shqelmuar nga anëtarët e UÇK-së, e më pas ishin qëlluar dhe vrarë. Prokuroria e Specializuar në këtë aktakuzë ka përfshirë edhe qendrën e paraburgimit në Kleçkë.

Në këtë lokacion sipas prokurorit të specializuar, gjashtë persona ishin dërguar dhe ishin rrahur për vdekje nga anëtarët e UÇK-së.

Një tjetër person sipas prokurorit të specializuar kishte vdekur si rezultat i keqtrajtimit në Kukës

Në këtë keqtrajtim thuhet se kishte marrë pjesë edhe Sabit Geci. Tre persona të tjerë ishin arrestuar në Rahovec, ata sipas aktakuzës ishin rrëmbyer nga ushtarët e UÇK-së në shtëpitë e tyre ndërsa nuk ishin parë më kurrë.

Arsyeja se pse krerët e UÇK-së akuzohen për krimet dhe vrasjet e sipërpërmendura sipas prokurorit të specializuar është përgjegjësia komanduese.