Gjykimi i doganierit për derivatet e naftës – jep dëshminë udhëheqës i njësisë së transportit

Në gjykatën e Mitrovicës ka vazhduar seanca e gjykimit ndaj të akuzuarit Orhan Osmani. Osmani nga prokuroria e Mitrovicës akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Si dëshmitarë në këtë seancë është dëgjuar Fatmir Hasani oficer në Doganën e Kosovës, i cili në kohën për të cilën po gjykohet Osmani, kishte qenë udhëheqës i Njësisë së Transportit.

I pyetur nga prokuroi Njazi Rexha, dëshmitari Hasani ka deklaruar se një koleg i tij i cili kishte punuar te regjistrimi i të dhënave të faturave, kishte vërejtur që ka pasur mospërputhje mes faturave dhe të dhënave të kilometrazhit.

Sipas akuzës, me 19 janar 2015 Osmani me rastin e furnizimit të automjetit zyrtar nga punëtori i pompës së benzinës Refki Mazhiqi, kishte pranuar kundërvlerën prej 35 eurove, në vend të mbushjes së automjetit me derivate të naftës dhe nga i njëjti kishte pranuar faturën me të dhëna fiktive lidhur me kilometrazhin e automjetit.

Tutje dëshmitari Hasani ka thënë se në momentin që kishte ndodhur ky rast, kishte shkuar fizikisht në standardet profesionale, ku kishte takuar kolegun e tij Qazim Jonuzin, i cili sipas dëshmitarit, veç se e kishte paraqitur rastin.

“Mospërputhjen e kemi vërejtur që ka pasur. Një koleg i yni që ka punuar në njësitin tonë gjatë regjistrimit të faturave në sistem ka vërejtur se ka mospërputhje të kilometrazhet mes faturave. Unë personalisht nuk kam vërejtur pasi është marrur Isa Selmani i cili i ka vërejtur këto dallime”, tha dëshmitari.

Gjatë kësaj seancë paraprakisht është dhënë edhe fjala hyrëse nga palët.

Prokurori Njazi Rexha ka deklaruar se bazuar në provat dhe shkesat e lëndës, do të kuptohet se i pandehuri si zyrtar terreni ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare.

Në anën tjetër mbrojtësja e të pandehurit avokatja Fatmire Braha, ka thënë se gjatë shqyrtimit gjyqësorë dhe pas administrimit të provave do të vërtetohet pafajësia e të mbrojturit të saj.

Pas dëgjimit të dëshmitarit, seanca është ndërprerë pasi nga prokuroria janë propozuar që të dëgjohen dy dëshmitarë, Isak Selmani dhe Qazim Jonuzi.

Trupit gjykues me kryetar Avni Mehmetin, kanë aprovuar kërkesën, kurse ka ndërprerë seancën e stome, duke caktuar seancën e radhës për 26 mars në gjykatën e Mitrovicës.

I pandehuri Osmani nga prokuroria akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas akuzës me 19 janar 2015, Osmani me rastin e furnizimit të automjetit zyrtar nga punëtori i pompës së benzinës Refki Mazhiqi, kishte pranuar kundërvlerën prej 35 euro, në vend të mbushjes së automjetit me derivate të naftës dhe nga i njëjti kishte pranuar faturën me të dhëna fiktive lidhur me kilometrazhin e automjetit.

Me 28 nëntor 2014, me rastin e furnizimit të automjetit zyrtar, me 75 litra sipas faturës kishte shënuar kilometra 129,776 e që sipas librit për evidentimin e kilometrave të kësaj veture kilometrat e paraqitura në faturë ishin kaluar dy ditë më herët dhe se kilometrat e paraqitura janë fiktive.

Kurse rasti tjetër sipas aktakuzës, kishte ndodhur me 9 dhjetor 2014, me rastin e furnizimit të automjetit zyrtar “Toyota”, me 47 litra, sipas faturës kishte shënuar kilometra 241,905 në mënyrë fiktive pasi që sipas librit për evidentimin e kilometrave të kësaj veture kilometrat e paraqitura kjo veturë i kishte kaluar më 12 dhjetor 2014.

Më këtë, Osmani akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.