Foto-ilustrim

Gjykimi i Besnik Krasniqit, akuzohet se e punësoi të emëruarin politik në pozitën e drejtorit të bordit në “Eko-Regjion”

Në Gjykatën e Prizrenit sot është mbajtur shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarit Besnik Krasniqi, i cili po akuzohet për veprën penale – keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Besnik Krasniqi, kryetar i AAK-së në Prizren, pretendohet se punësoi të emërruarin politik në pozitën e drejtorit të bordit të kompanisë “Eko Regjioni”.

Palë e dëmtuar në këtë rast është Bujar Dakaj.

Para trupit gjykues prezantoi i dëmtuari në cilësinë e dëshmitarit.

I pyetur nga prokurori nëse Liridon Sallauka, i caktuar në pozitën e drejtorit të bordit në “Eko Regjion”, ka qenë në ndonjë parti politike, dëshmitari tha se në bazë të rrjeteve sociale, portaleve informuese në atë kohë, Liridon Sallauka është përzgjedhur më 01.02.2022 në pozitën e sekretarit të përgjithshëm në degën e AAK-së në Prizren.

Ndërsa, tutje në zhvillimin gjyqësor u deklarua edhe dëshmitari i dytë për këtë çështje, Adrit Krasniqi.

Dëshmitari i ftuar, në atë kohë anëtar i Komisionit të aksionarëve të “Eko Regjionit” për periudhën 2022, kur votoi për shkarkimin e të dëmtuarit Bujar Dakaj nga posti i drejtorit të bordit në “Eko Regjion”, duke iu përgjigjur prokurorit se kush e ka propozuar Liridon Sallaukën për pozitën e drejtorit të bordit, u përgjigj: “Ne si komision pasi që kemi marrë vendim për shkarkimin e ish-drejtorit të bordit Bujar Dakaj, kemi filluar procedurat për konkurs të rregullt, por gjatë kësaj periudhe kemi menduar që pozita nuk duhet të jetë vakante, ashtu që kryetari i Komisionit Besnik Krasniqi ka propozuar që me një CV të jetë anëtar i përkohshëm drejtor i bordit Liridon Sallauka.

Tutje, dëshmitari Adrit Krasniqi tha që CV-në e Liridon Sallaukës e kishte lexuar sipërfaqësisht.

Kujtojmë se Prokuroria e Prizrenit më 31.07.2023 kishte ngritur aktakuzë ndaj Besnik Krasniqit për shkak që më 20.06.2022 në Prizren, në cilësinë e personit zyrtar duke shfrytëzuar detyrat e tij zyrtare në cilësinë e kryetarit të Komisionit të Aksionarëve “Eko-Regjioni” në Prizren, duke vënë në lajthim faktik dy anëtarët e tjerë të Komisionit, nxjerr vendim dhe e emëron përkohësisht Liridon Sallaukën kryetar të bordit të drejtorëve të “Eko-Regjionit”.

Në aktakuzë thuhet që Liridon Sallauka ishte i emëruar politik, përkatësisht sekretar i përgjithshëm i AAK-së – dega në Prizren dhe në këtë mënyrë me të njëjtin vendim e ka shkarkuar Bujar Dakajn nga pozita e kryesuesit të bordit.

Potencojmë që i akuzuari Besnik Krasniqi është kryetar i AAK – së  – dega në Prizren.