Dënohet i akuzuari që kishte tërhequr zvarrë viktimën e cila si pasojë e lëndimeve kishte vdekur

Gjykata Themelore në Prizren, me kryetare të trupit gjykues, Teuta Krusha, më datë 24.04.2024, ka shpallur fajtor të akuzuarin I.K. për veprën penale “Rrezikim i trafikut publik” dhe “Mosdhënia e ndihmës personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut publik”.

Për veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik”, gjykata ka shqiptuar 20 muaj dënim me burgim ndaj të akuzuarit.

Ndërsa për veprën penale “Mosdhënia e ndihmës personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut publik”, është shqiptuar dënim me 8 muaj burgim.

Në vendim thuhet se i akuzuari I.K. me datë 23.07.2023 rreth orës 18:55 minuta në Prizren, si pjesëmarrës në trafikun publik nuk i ka kushtuar kujdes të shtuar dhe nuk i është përshtatur sjelljes së pjesëmarrësit në trafikun rrugor.

Kështu, duke lëvizur përgjatë rrugës “Zenun Çoçaj”, në afërsi të kryqëzimit të rrugës, ndalet dhe e merr të dëmtuarën M.B., me të cilën ishte në lidhje dashurie dhe në momentin kur nëna e saj, viktima F.Ç., e vëren vajzën e saj se kishe hipur në automjetin e akuzuarit, i vendos duart në dritaren e automjetit.

Mirëpo, i akuzuari edhe pse vëren viktimën se ishte kapur për dritare e nis automjetin me shpejtësi të madhe duke e tërheq zvarrë në një distancë të caktuar.

Në situatën e krijuar në momentin kritik edhe pse i akuzuari si ngasës i automjetit shkakton aksident në trafikun publik, nuk ndalet fare në vendin e ngjarjes për t’i ofruar ndihmë personit të lënduar nga ky aksident – viktimës F.Ç., e cila si pasojë e aksidentit pëson lëndime të rënda trupore. Mirëpo i akuzuari L.K., nuk i ofron ndihmë viktimës dhe me një shpejtësi të madhe largohet nga vendi i ngjarjes.

Nga këto veprime është vërtetuar se i akuzuari I.K.,, ka kryer veprat penale “Rrezikimi i trafikut publik” dhe “Mosdhënia e ndihmës personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut publik”.

Me këto veprime viktima F.Ç:, pësoi lëndime trupore në pjesë të ndryshme të trupit dhe në gjendje të pavetëdijshme dërgohet në Spitalin Rajonal të Prizrenit.

Mirëpo, si pasojë e lëndimeve të marra në regjionin e kokës dhe atë në mesë të cipave mbështjellëse të trurit të madh dhe trurit të vogël, të cilat lëndime janë shkaktuar nga veprimi mekanik i mjetit të fortë mbrehtë.me urgjencë transferohet në QKUK në Prishtinë.

Viktima F.Ç., me datë 27.07.2023 ndërron jetë si pasojë e lëndimeve të rënda trupore.

Andaj, Gjykata shpalli vendimin me të cilin shqiptoi dënimin e lartëcekur për të padehurin I.K. për veprat si më lartë.