Reshat Sadiku, i akuzuar për kanosjen e deputetit të LDK-së Avdullah Hoti - FOTO: Laurant Berisha - KALLXO - 08.08.2023

Gjykata vendos për të akuzuarin që kanosi në Facebook deputetin Avdullah Hoti

Gjykata në Prishtinë ka marrë vendim me të cilin ka gjetur fajtor të akuzuarin Reshat Sadiku për kanosjen të deputetit të LDK-së Avdullah Hoti.

Kanosja sipas prokurorisë ka ndodhur në rrjetin social Facebook “Ty mor bugar vetëm kosa të vjen hakesh” – kishte komentuar në një postim të Hotit, i akuzuari.

Gjykata të njëjtit i ka shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 4 muaj dënim i cili me pëlqimin e të pandehurit mund të zëvendësohet në dënim me gjobë në shumën prej 2 mijë euro.

Sadiku në seancën e cila u mbajt sot ka i ka kërkuar falje deputetit Hoti, kurse gjykata ka aprovuar marrëveshjen për pranim fajësie të arritur mes të pandehurit dhe prokurorisë.

Shpallja e aktgjykimit u bë nga Gjyqtari i vetëm gjykues Driton Berisha, në gjykatën e Prishtinës.

Aktakuza sipas njoftimit të prokurorisë është ngritur më 24 korrik të këtij viti.

Sipas aktakuzës, kanosja ka ardhur pasi Reshat Sadiku ka komentuar në një postim të Avdullah Hotit, ku kishte dhënë një mendim politik për zhvillimet politike në vend.

Tashmë i akuzuari me qëllim të frikësimit i ka shkruar koment që lidhet me pozitën dhe punën e të dëmtuarit dhe e ka kanosur.

“Sipas aktakuzës, më 15.12.2022 në Prishtinë, pasi i dëmtuari Avdullah Hoti, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, kishte postuar në profilin e tij në rrjetit social “facebook” mendimin e tij për zhvillimet politike në vend, i pandehuri i lartcekur, me qëllim të frikësimit, e përmes llogarisë së tij personale në rrjetin social “facebook”, i shkruan koment që lidhet me punën apo me pozitën e të dëmtuarit dhe e kanosë seriozisht me fjalët: “Ty mor bugar vetëm kosa të vjen hakesh”, ku me këtë rast tek i dëmtuari shkakton ndjenjën e ankthit, frikës dhe pasigurisë për jetën, andaj me këtë i pandehuri kryen veprën penale të kanosjes”- thuhej tutje në njoftimin e Prokurorisë.

I akuzuari se kanosi Avdullah Hotin, me lot në sy i kërkon falje publike deputetit pas përfundimit të seancës