Arrestimi i një të dyshuari për fajde në Pejë. Foto: Policia e Kosovës

Gjykata vendos për grupin e dyshuar për fajde në Pejë

30 ditë masë e sigurisë, ajo e paraburgimit, i është caktuar Irfan, Valbona dhe djalit të tyre Anes Pakashtica nën dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprat penale së bashku me Idriz Hajzirin, fajde, detyrim, rrëmbim.

KALLXO.com mëson se të katër të dyshuarve që u arrestuan më 20.06.2024, i është caktuar masa e sigurisë për 30 ditë.

Katër të dyshuarit sot janë dërguar në gjykatë në Pejë në orën 10;00 ndërsa me ta kane qenë edhe avokatët e tyre.

KALLXO.com raportoi edhe për detajet e rastit të fajdeve, grupi i cili u arrestua në orët e pasdites se 20.06.2024.

Irfan e Valbona Pakashtica janë dy prindërit e Anes Pakashticës, të tre këta të arrestuar në aksionin e Policisë së Kosovës në Pejë me urdhër të Prokurorisë Themelore të Pejës.

KALLXO.com ka arritur që të siguroj dosjen hetimore në lidhje me këtë rast e që tregon se nga familja Pakashtica u arrestuan dy prindërit e një djalë që dyshohet se dhanë para me fajde te një person i cili po cilësohet viktimë.

E gjitha kishte nisur gjatë vitit 2022,  kur viktima në këtë rast kishte hapur një biznes për kriptovaluta e më pas pëson humbje financiare në vlerë të 25 mijë eurove ndërsa për të mbuluar këtë humbje ai merr 80 mijë euro nga familja Pakashtica ndërsa këta të fundit i kërkojnë në këmbim 240 mijë euro nën arsyetimin se edhe ata kanë marrë para fajde diku tjetër.

Me veprime të tilla prokuroria ka konsideruar se është kryer vepra penale e fajdes ndërsa janë edhe dy vepra të tjera për të cilat çifti me djalin e tyre dhe personin tjetër Idriz Hajrizi dyshohet se kanë kryer gjatë kësaj periudhe nga viti 2022 e deri më tani.

Sipas dosjes hetimore që ka siguruar KALLXO.com, gjatë vitit 2023 e tutje në Pejë, i dyshuari Irfan Pakashtica duke vepruar si anëtar i grupit bashkë me bashkëshorten dhe djalin e tij e edhe me persona të tjerë që ende nuk është arritur që të identifikohen nga organet e rendit, duke përdorur kërcënimin si mjet për të marrë paratë që ishin dhënë me fajde, gjithmonë sipas dosjes penale, kishin detyruar viktimën t’i jepte paratë e më pas edhe e kishin kërcënuar të njëjtin se do ta rrihnin e privojnë nga jeta.

Me këto veprime policia dhe prokuroria kane konsideruar se grupi kreu veprën penale të detyrimit.

Në lidhje me veprën penale të tretë atë të rrëmbimit, dosja thotë se në muajin dhjetor të vitit 2023, grupi dyshohet se kanë marrë viktimën e hanë futur brenda një veture dhe e kishin dërguar te një person me emrin “Ragip Daja” (person për të cilin ende nuk është identifikuar) e më pas e kishin kërcënuar se do ta vrisnin nëse nuk i jepte shumën e parave prej 240 mijë eurove për shkak të fajdes që kishte marrë paraprakisht.

Prokuroria e Pejës, siç mëson KALLXO.com ka marrë vendim për zgjerim të hetimeve për të pandehurit të cilët janë arrestuar më 20.06.2024.

Përfshirja e Idriz Hazirajt, sipas dosjes, është se nga shuma prej 240 mijë eurove, Haziraj dyshohej se do të përfitonte 40 mijë prej tyre.

Kush janë të arrestuarit nën dyshimet për fajde në Pejë, në mesin e tyre edhe një grua