Gjykata Themelore e Pejës. Foto: Atdhe Mulla.

Gjykata Themelore në Pejë redukton numrin e stafit dhe kufizon mbajtjen e seancave

Gjykata Themelore në Pejë ka marrë vendim për kufizim të mbajtjes së seancave gjyqësore, për reduktim të stafit të shërbyesve civil dhe pezullim të aktivitetit të praktikantëve në këtë gjykatë.

Këto vendime janë marrë si pasojë e rritjes së numrit të rasteve me COVID-19 ditëve të fundit në Kosovë.

“Kufizohet mbajtja e seancave gjyqësore në Gjykatën Themelore në Pejë dhe degët në Kline, Istog dhe Deçan nga data 31 gusht 2021 deri me datë 13 shtator 2021, ashtu që gjatë kësaj periudhe do të mbahen seancat gjyqësore të natyrës urgjente”, njofton Gjykata Themelore përmes rrjetit social “Facebook”

Sipas këtij vendimi, gjyqtarët lejohen që të mbajnë seancat gjyqësore përjashtimisht atyre të cekura në pikën e parë.

Gjykata Themelore njofton se reduktohet stafi i shërbyesve civil dhe pezullohet aktiviteti i praktikantëve.

“Pezullohet aktiviteti i praktikantëve në Gjykatën Themelore në Pejë dhe degët në Klinë, Istog dhe Deçan, nga data 01 shtator 2021 deri me datë 12 shtator 2021”, thuhet në njoftim.

“Nga data 13 shtator 2021, me rastin e paraqitjes në punë, i gjithë stafi duhet të posedojë Certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë ose marrjen e një doze të vaksinës kundër COVID-19 ose Testin e shpejtë antigjen negativ jo më të vjetër se 48 orë”, thuhet ndër të tjera.

Ndryshe Gjykata bënë thirrje palëve që dorëzimin e shkresave ta bëjnë përmes postës elektronike.