Gjykimi ndaj të akuzuarit për vrasjen e nënës së tij, mbyllet seanca për publikun

Urim Hyseni i akuzuar për vrasjen e nënës së tij me 14 prill të këtij viti, është sjellur në gjykatë për akuzat që rëndojnë ndaj tij.

Në këtë seancë nuk u lejua prania e mediave për të xhiruar, ndërsa monitorimi i seancës zgjati shumë pak minuta deri në marrjen e vendimit nga Gjykata për të vazhduar seanca e mbyllur për publik dhe monitorim të seancës.I njëjti sikurse edhe në seancën dëgjimore që ishte mbajtur për caktimin e masës së paraburgimit, nuk e tha asnjë fjalë momentin kur u pyet nga Gjyqtarja e rastit Violeta Husaj- Rugova se a pajtohet me fjalët e mbrojtësit të tij, Asdren Mekaj, që seanca të jetë e mbyllur për publikun.

“Edhe ne kërkojmë që kjo seancë të jetë e mbyllur për publikun për arsye se gjatë kësaj seance ne do të diskutojmë një çështje e cila na flet për gjendjen shëndetësore të të mbrojturit tim dhe çdo diskutim lidhur me këtë ekspertizë duhet të jetë i mbyllur për publikun” – tha avokatja Mekaj.

I akuzuari vetëm tundi kokën në shenjë pohimi.

Përndryshe mbrojtësja e viktimës me të filluar seanca kërkoi nga gjyqtarja që seanca të jetë e mbyllur mbi bazën e raportit familjarë.

Këtë propozim të saj nuk e kundërshtoi as prokurorja e rastit, Sahide Gashi.

Propozim i cili u aprovua nga Gjyqtarja e rastit, Husaj- Rugova.

Dosja hetimore të cilën e ka siguruar edhe KALLXO.com tregon se Urim Hyseni në seancën para gjyqtarit të procedurës paraprake për caktimin e masës së sigurisë nuk kishte qenë në gjendje as të jap të dhënat e tij personale ashtu siç parashihet edhe në procedura.

Në këtë seancë i pranishëm ka qenë edhe një ekspert psikiatrik Nysret Pepaj.

Gjithmonë sipas dosjes, Urim Hyseni dyshohet se pasi kishte kryer aktin makabër duke vrarë nënën e tij me thikë, i njëjti më pas kishte sulmuar babanë dhe hallën e tij.

Këta të dy në dosje përmenden si dëshmitarë okularë.

Kjo rrethanë rënduese si dhe të tjera u përdorën si pika kyçe për t’i caktuar të njëjtit paraburgimin prej 1 muaji.

Gjithashtu i dyshuari, sipas dosjes së Prokurorisë ishte duke jetuar në Gjermani para se të vinte në Kosovë, atje edhe punonte ndërsa kishte nxjerrë biletë kthimi për datën 19 prill.

Edhe kjo situatë u përdor për të vërtetuar se masa e paraburgimit duhet të jepet për shkak se ekzistonte rreziku i arratisjes së të dyshuarit.

Çka ndodhi mbrëmjen e 14 prillit në Pejë?

Në orët e mbrëmjes, policia në Pejë u njoftua për një akt makabër e që dyshohej se djali kishte vrarë nënën e tij.

Një ngjarje e tillë sipas Prokurorisë Themelore në Pejë nuk kishte ndodhur asnjëherë. Djali dyshohet se me thikë kishte vrarë nënën e tij, trupin e kokën ia kishte ndarë në dy vende të ndryshme të shtëpisë.

Dosja hetimore tregon se kishte qenë gruaja e axhës së Urim Hysenit që kishte shkuar në vendin e ngjarjes e para ndërsa më pas edhe babai e halla.

Urim Hyseni ishte arrestuar nga organet e rendit, ndërsa për shkak të gjendjes së tij psikologjike ai nuk ishte intervistuar atë natë për ngjarjen.

Eksperti psikiatrik Nysret Pepaj i cili kishte biseduar me të dyshuarin ka thënë para gjyqtarit të procedurës paraprake se i dyshuari kishte deklaruar se “ndodhin këto raste, kanë ndodhur edhe më përpara dhe nuk kemi çka të bëjmë tash”.

Me këto veprime të të dyshuarit, eksperti Pepaj kishte konstatuar se ai ka ç’rregullim psikotik.

Avokati i të dyshuarit i cili është caktuar në bazë të detyrës zyrtare Asdren Mekaj, kishte thënë në seancë se deri në vlerësimin psikiatrik të klientit të tij ka theksuar se pajtohet që klienti i tij të mbahet në kushte të izolimit pranë Institutit të Forenzikës Psikiatrike, jo vetëm për ekzaminim, por edhe për shkak të sigurisë së tij dhe sigurisë së personave të tjerë që mund të jenë në afërsi të tij.

Ka qenë Prokurorja Sahide Gashi e cila ka përmendur faktin se ka paralajmëruar që ndër veprimet e para hetimore do të jetë kërkesa për ekzaminim psikiatrik të të pandehurit.