Vrasja e Agonis Tetajt, mungon mbrojtësi i të pandehurit

Ka dështuar të mbahet sot seanca në Gjykatën e Pejës ndaj të akuzuarit Shaban Gogaj, i akuzuar për vrasjen e Agonis Tetajt.

Kjo pasi që avokati i të akuzuarit nuk ka marrë pjesë në seancë me arsyetimin se i akuzuari nuk e pranon si mbrojtës.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës, Tringa Zhuti.

“Seanca e sotme në çështjen penale ndaj të pandehurit Shaban Gogaj është anuluar për shkak se mbrojtësi i të pandehurit i caktuar sipas detyrës zyrtare, dje me datë 21 qershor, ka njoftuar gjykatën se nuk do të marrë pjesë në seancë me arsyetimin se familjarët e të pandehurit e kanë njoftuar se i pandehuri nuk e pranon si mbrojtës sipas detyrës zyrtare”, tha Zhuti për KALLXO.com.

Në lidhje me këtë, Zhuti tha se Gjykata do të veprojë tutje sipas Kodit të Procedurës Penale.

“Lidhur me këtë, Gjykata do të veprojë konform nenit 64 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës për shkak të zvarritjes së procedurës nga ana e mbrojtësit, meqenëse avokati është i obliguar të paraqitet në gjykatë kur është i caktuar sipas detyrës zyrtare apo gjykatën ta njoftojë me kohë për shkaqet e arsyeshme të mosparaqitjes”, thuhet tutje në përgjigjen e zëdhënëses së Gjykatës, Tringa Zhuti.

Ngjashëm, pas një viti bllokade të këtij procesi, në fillim të këtij muaji kishte dështuar edhe një seancë tjetër.

Gjykimi ndaj Shaban Gogajt, përsëri nuk prezanton avokati

KALLXO.com ka raportuar për të gjitha zvarritjet që e përshkruan këtë proces.

Në qershor të vitit 2021, Gjykata e Pejës përmes një vendimi ka përjashtuar avokatin Besnik Berisha nga e drejta për të mbrojtur të akuzuarin Shaban Gogaj.

Paraprakisht avokati Berisha u dënua me gjobë 500 euro sepse sipas gjykatës i njëjti i ka përsëritur pyetjet e njëjta përkundër që i është tërhequr vërejtja, e po ashtu faktin se vazhdimisht ka deklaruar se gjykata e ka paragjykuar këtë çështje.

Bllokimi i këtij procesi ka ndodhur pas përjashtimit dhe dënimit më gjobë të avokatit Besnik Berisha.

Vendimi për shqiptimin e gjobës ishte vërtetuar nga Gjykata e Apelit.

Pas përjashtimit të Berishës gjykata nuk arriti të caktojë një avokat sipas detyrës zyrtare për Gogajn, kjo pasi Oda e Avokatëve kishte marrë vendim për moscaktim të asnjë avokati sipas detyrës zyrtare për këtë çështje.

Kujtojmë se në fjalën përfundimtare prokurori Agron Uka e kishte ricilësuar akuzën nga vrasje e rëndë në vrasje nga pakujdesia.

Ky veprim i prokurorit ngjalli reagime te familjarët e viktimës.

Isuf Tetaj, babai i tani të ndjerit Agonis Tetaj, përmes një emaili ka alarmuar opinionin publik lidhur me dyshimet e tij se prokurori i cili përfaqëson akuzën në rastin për vrasjen e djalit të tij, Agonis Tetaj – prokurori Agron Uka ka bërë ricilësimin e veprës penale nga “vrasja e rëndë” në “vrasje nga pakujdesia”.

Letra e Isuf Tetaj ishte drejtuar për mediat, shoqërinë civile, ambasadat e huaja në vend dhe bashkangjitur ka edhe videon e momentit të vrasjes së djalit të tij.

Prokurori i këtij rasti Agron Uka si dhe Besnik Berisha avokati mbrojtës i të akuzuarit në këtë rast, Shaban Gogajt u përfshinë në një situatë kontraverse, pasi u dëshmua me fotografi që të dy ishin takuar në një restorant në Gjilan.

Kjo shkaktoi reagime të mëdha, sidomos nga familja e të ndjerit, Agonis Tetaj.

Ish-kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi kishte marrë lëndën e vrasjes së Tetajt nga prokurori Agron Uka për t’ia ndarë dikujt tjetër. Prokurori i ri i rastit ishte caktuar Isuf Kadriu.

Ndërsa gjykata kishte rihapur shqyrtimin për këtë çështje.

Sipas aktakuzës se prokurorisë, më 23 shtator të vitit 2021, në kompaninë “Gogaj AG”, Shaban Gogaj mori një telefonatë nga një person tjetër, e cila në aktakuzë është cilësuar si dëshmitare, nga e cila bisedë më pas shihet se është acaruar.

Tutje, aktakuza sqaron se i ndjeri Agonis Tetaj ishte larguar menjëherë në drejtim të stogjeve përballë tij për gati 5 metra, ndërsa bashkë me të u larguan edhe dy dëshmitarët e rastit A. H. dhe F. Z.

Sipas dosjes së prokurorisë, me të përfunduar bisedën, Shaban Gogaj, nga karrigia e anës së majtë të banakut kaloi në karrigen tjetër e cila gjendej në mes të banakut dhe nga sirtari nxorri revolen e tij të tipit “Beretta”, e vendosi karikatorin dhe e mori në shenjë të ndjerin Agonis Tetaj në kokë, duke e vrarë.

Viktima ishte punëtor në lokalin e të akuzuarit.

Të gjitha raportimet e KALLXO lidhur më këtë rast mund ti lexoni në këtë LINK.