Gjykata pezullon vendimin e Albulena Haxhiut për noterët

Ish-ministrja e drejtësisë Albulena Haxhiu më 20 shkurt të këtij viti mori vendim për anulimin e konkursit për noterë të Kosovës.

Mirëpo vendimi i tillë është shtyrë për ekzekutim ngase Gjykata e Apelit, më 10 korrik, ka marrë vendim  për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të Ministrisë së Drejtësisë me të cilin u anulua procesi i përzgjedhjes së noterëve në Kosovë.

Shtyrja e ekzekutimit të këtij vendimi të Ministrisë erdhi si rezultat i ankesës së paditësit Ylli Bokshi.

Ai, më 3 mars, kishte paditur Ministrinë e Drejtësisë për shkak të vendimit për anulimin e procesit të përzgjedhjes së noterëve.

Bokshi, me anë të padisë, kërkon të anulohet vendimi i Ministrisë së Drejtësisë dhe me propozim ka kërkuar që i njëjti vendim të pezullohet për ekzekutim deri sa çështja të zgjidhet përfundimisht.

Ndërsa Gjykata e Prishtinës  më 22 qershor 2020,  kishte refuzuar si të pabazuar propozimin e Ylli Bokshit për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të Ministrisë së Drejtësisë për anulimin e konkursit të noterëve deri sa çështja të zgjidhet në mënyrë meritore.

Mirëpo Apeli, përbërë nga kolegji i gjyqtarëve Ramiz Kuqi, Delushe Halimi dhe Gani Avdiu, ka konstatuar se vendimi i 22 qershorit të gjykatës së shkallës së parë përmban shkelje esenciale të dispozitave procedurale,  duke qenë kundërthënës arsyetimi i vendimit, vërtetim të gabueshëm dhe jo të plotë të gjendjes faktike si dhe shkelje të ligjeve materiale.

Apeli ka konstatuar se gjykata e shkallës së parë për shkak të qëndrimit juridik të gabuar dhe mosarsyetimit të vendimit se masa e përkohshme nuk guxon të përfshijë kërkesëpadinë, e njëjta ka lëshuar të vlerësojë pretendimet e paditësit nëse janë plotësuar kushtet për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit për anulimin e konkursit të noterëve.

Sipas Apelit, gjykata e shkallës së parë nuk ka pasur parasysh faktin se me vendimin e 20 shkurtit është anuluar tërë procesi i noterisë, përfshirë edhe certifikatën e provimit të noterisë si dhe dëmin që mund ta pësojë paditësi  nga mos shtyrja e ekzekutimit të këtij vendimi.

Po ashtu Apeli ka arritur në përfundim se gjykata e shkallës së parë nuk ka e ka pasur parasysh se shtyrja e ekzekutimit të këtij vendimi nuk është në kundërshtim me interesin publik.

Andaj e njëjta vendimin e 22 qershorit e ndryshoi duke aprovuar propozimin që anulimi i konkursit sipas vendimit të Ministrisë së Drejtësisë të shtyhet për ekzekutim deri sa çështja të zgjidhet në mënyrë meritore.