Gjykata e Gjilanit

Gjykata konfirmon aktakuzën ndaj ish shefit të AKI-së

Gjykata në Prishtinë përmes një vendimi e ka konfirmuar aktakuzën kundër Driton Gashit ish-shef i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Valon Krasniqit zyrtar në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Rrahman Sylejmanit zyrtar policor, të cilët po akuzohen për ekstradimin e gjashtë shtetasve turq.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar gjyqtarja e rastit Violeta Namani.

“Vendimi i është dorëzuar palëve, janë shpallë disa prova të papranueshme, edhe disa deklarata dhe është bërë refuzimi për hudhje të aktakuzës, tash deri sa të vendos edhe Apeli”, tha gjyqtarja Namani.

Ndërsa për KALLXO.com mbrojtësi i Valon Krasniqit, avokati Ekrem Hoxha, tha se si prova të papranueshme janë shpallë deklaratat e 5 dëshmitarëve.

Akuzat ndaj tyre kanë të bëjnë me depërtimin e gjashtë shtetasve turq në Turqi.

Në mëngjesin e 29 marsit 2018, Cihan Ozkan, Kahraman Demirez, Hasan Husein Gunakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Jusuf Karabina u arrestuan e më pas u depërtuan për në Turqi.

Arrestimi i gjashtë shtetasve turq, u bë nga institucionet e Kosovës, ndërsa operacioni për depërtimin e tyre, nga ekspertët e fushës u vlerësua se u përcoll me një “mal shkeljesh ligjore”.

Vetëm pasi që Hasan Hysein Gunakan u depërtua në Turqi, u kuptua se kishte ndodhur një gabim dhe se i njëjti ishte depërtuar gabimisht në vend të Hasan Hysein Demir. Ndonëse i depërtuar gabimisht, më 28 janar të vitit 2020, sipas raportimeve të mediave turke, Gunakan u dënua me mbi 8 vite burgim nga Gjykata në Stamboll. Prokuroria pretendon se të pandehurit Driton Gashi, Valon Krasniqi dhe Rrahman Sylejmani, dyshohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar. Gjashtë shtetasit turq janë të akuzuar për lidhje e tyre me Fetullah Gylen, njeriun për të cilin presidenti turk Recep Tayyip Erdogan thotë se qëndron pas grusht shtetit të dështuar të vitit 2016.

Arsyetimi i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI), në lidhje me dëbimin e gjashtë shtetasve turq ishte se ata paraqesin ‘rrezik për sigurinë kombëtare’.