Gjykata i dënon të akuzuarit për ndërhyrje në kompjuterë dhe keqpërdorim të kartelave bankare

Gjykata e Gjilanit ka marrë vendim që t’i dënojë tre burra nga Gjilani të cilët po akuzohen se kanë vjedhur dhe më pas keqpërdorur të dhënat personale të disa personave nga vende të ndryshme të botës.

Liridon Isufi është dënuar me 3 vite e gjashtë muaj burgim si dhe 5 mijë euro gjobë.

Kurse dy të akuzuarit e tjerë Lum Shkodra e Lavdim Mjekiqi u dënuan me 3 vjet burgim si dhe gjobë prej 3 mijë eurove.

Sipas Prokurorisë, Liridon Isufi, Lavdim Mjekiqi dhe Lum Shkodra akuzohen se kanë ndërhyrë në mënyrë të paautorizuar në kompjuterë të shfrytëzuesve të internetit nga Amerika, Kina, Ukraina e Rusia, duke kopjuar dhe vjedhur të dhëna të ndjeshme, përfshirë edhe të dhëna për llogari bankare. Ata akuzohen se nga këto aktivitete kanë përfituar shumën prej mbi 73 mijë eurove.

Po sipas aktakuzës, të akuzuarit gjatë kësaj periudhe kishin kopjuar të dhënat e kartelave bankare “përmes programeve keqbërëse”, duke bërë tregti të të dhënave personale në forma të ndryshme.

Me këto veprime, sipas Gjykatës së Gjilanit të akuzuarit kanë kryer veprën penale “hyrje në sistemet kompjuterike”.

Dosja: Si arritën Gjilanasit të thyejnë kodet e bankave e të marrin para?