
Dosja: Si arritën Gjilanasit të thyejnë kodet e bankave e të marrin para?
Policia e Kosovës nuk ka mundur t’i sjellë në gjykatë dy persona për t’i dhënë dëshmitë e tyre në një proces gjyqësor ndaj dy të akuzuarve për ndërhyrje në për hyrje në sistemet kompjuterike dhe falsifikim të letrave me vlerë.
Sipas Prokurorisë, Liridon Isufi, Lavdim Mjekiqi dhe Lum Shkodra akuzohen se nga viti 2007 e deri në gusht të vitit 2015 kishin ndërhyrë në mënyrë të paautorizuar në kompjuterë të shfrytëzuesve të internetit, duke kopjuar dhe vjedhur të dhëna të ndjeshme, përfshirë edhe të dhëna për llogari bankare. Ata akuzohen se nga këto aktivitete kanë përfituar shumën prej mbi 73,000 euro.
Po sipas aktakuzës, të akuzuarit gjatë kësaj periudhe kishin kopjuar të dhënat e kartelave bankare “përmes programeve keqbërëse” duke bërë tregti të të dhënave personale në forma të ndryshme.
Aktakuza thotë gjithashtu se i akuzuari Liridon Isufi, prej vitit 2011 e deri ne vitin 2014, nëpërmes biznesit të tij kishte bërë shmangie të tatimit në shumën prej mbi 8,000 euro.
Në seancën e sotme, kryetari i trupit gjykues Naser Maliqi tha se “dëshmitarët e thirrur Arben Basha dhe Halit Kadriu për seancen e sotme nuk janë prezentë dhe se urdhëresa ndaj tyre nuk ka mundur të zbatohet nga ana e Policisë”.
Në mungesë të tyre, Prokurori Arben Kadriu i ka propozuar gjykatës që të lexohet dëshmia e dy dëshmitarëve që nuk janë prezentë, nëse pajtohet edhe pala tjetër.
“Nëse jo, atëherë jo urdhëresa ndaj tyre të përsëritet”, tha Prokurori Kadriu.
Por mbrojtësit e të akuzuarve kundërshtuan propozimin për leximin e dëshmisë së këtyre dëshmitarëve ndërsa trupi gjykues vendosi që ta refuzojë propozimin e Prokurorit dhe përsëriti urdhëresën për sjelljen e tyre me detyrim në gjykatë në seancën e radhës e cila u caktua të mbahet më 27 janar.