Foto: Kallxo.com

Gjykata arsyeton vendimin për dënimet ndaj Pal Lekajt dhe tre të tjerëve

Trupi gjykues me kryetar Shaqir Zika dhe anëtarë Mentor Bajraktari e Besarta Doli, në muajin shkurt shpallën aktgjykim dënues ndaj ish-kryetarit të komunës së Gjakovës Pal Lekaj, ish-drejtorit të Bujqësisë Ismet Isufi, ish-zyrtarit financiar Gani Rama dhe pronarit të biznesit “UNION-VL”, Veli Hajdaraga.

Sipas aktgjykimit të siguruar nga KALLXO.com, thuhet se gjykata ka vërtetuar në mënyrë të plotë se të akuzuarit kanë kryer veprat penale, pasi është vërtetuar nga provat e nxjerra gjatë gjykimit, e sidomos gjatë dëgjimit të dëshmitarëve.

Në këtë rast, ish-kryetari i komunës se Gjakovës Pal Lekaj bashkë me ish-zyrtarin e tij Gani Rama dhe drejtorin e Drejtorisë për Bujqësi Ismet Isufi, po akuzoheshin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndërsa i akuzuari Veli Hajdaraga po akuzohej për shmangie nga tatimi dhe mashtrim me subvencione.

Pal Lekaj atë kohë në cilësinë e kryetarit të komunës së Gjakovës dhe Ismet Isufi si drejtor i Drejtorisë për Bujqësi, akuzoheshin së kishin shpërndarë subvencione përmes kompanisë “UNION-VL”, me pronar Veli Hajdaragën.

Kjo gjykatë gjatë marrjes së vendimit mbi dënimin dhe llojin e tij, kishte vlerësuar vetëm rrethanat lehtësuese, pasi që prej atyre rëndueseve nuk kishte gjetur.

Për katër të akuzuarit, gjykata si rrethanë lehtësuese ka vlerësuar rrethanat personale se të njëjtit janë mbajtës të familjeve të tyre.

Përveç kësaj, në aktgjykim thuhet se gjykata ka vlerësuar qëndrimin korrekt të tyre, faktin se nuk kanë qenë të dënuar më parë dhe nga koha e kryerjes së veprës penale ka kaluar afati mbi 9 vite.

Andaj, kjo gjykatë kishte ardhur në përfundim se me dënimin me kusht, do të arrihet efekti dhe qëllimi i dënimit dhe se dënimet e tilla janë në proporcion me veprën penale të kryer dhe rrethanat personale që i kanë të akuzuarit.

Po ashtu, sipas vlerësimit të gjykatës dënimi konsiston në parandalimin e të akuzuarve nga kryerja e veprave penale në të ardhmen duke shpresuar që ky dënim të bëjë rehabilitimin e tyre, të parandalojë personat tjerë nga kryerja e veprave penale, të shprehë gjykim shoqëror për veprën penale, të bëjë ngritjen e moralit dhe forcimit e detyrimit për respektimin e ligjit.

Këto veprime sipas Prokurorisë Speciale, pretendohet se janë kryer gjatë periudhës 2008-2014, në kundërshtim me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike.

Për këto veprime, Lekaj e Isufi u dënuan me burgim me kusht prej 1 vit e 6 muaj, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse në periudhën prej 2 viteve, nuk do të kryejnë vepra të tjera penale.

Në aktakuzë thuhet se vendimet që i ka marrë Pal Lekaj, mbulojnë vetëm shumën prej 235,400 eurove, ndërsa vendimet e tjera, nuk kanë asnjë lloj baze juridike e që arrijnë deri në shumën prej 631,671.82 euro.

Të njëjtit edhe pse kanë qenë të obliguar që ta përcjellin shpërndarjen e subvencioneve deri në fund dhe në përpikëri, kanë lejuar që mbi 40% të fermerëve mos të pranojnë fare subvencione, të cilët ia kanë mundësuar biznesit “UNION-VL”, apo personave të tjerë, përvetësimin e dobisë pasurore që si pasojë kanë dëmtuar buxhetin e Komunës së Gjakovës në vlerë prej 69,786.00 eurosh.

Po ashtu, Gani Rama po akuzohej për keqpërdorim të 218 mijë eurove nga shpërndarja e subvencioneve.

Prokuroria Speciale, po akuzon Ramën se “kishte lejuar alokimin dhe propozimin e mjeteve lidhur me pagesat që i janë bërë biznesit DPT ‘UNION-VL’, me pronar Veli Hajdaraga, për shpërndarjen e subvencioneve”.

Në aktakuzë thuhet se Gani Rama, këto mjete i kishte lejuar pas asnjë procedurë për shpërndarjen e subvencioneve, pa kontratë si dhe pa pasur fatura të rregullta apo dokumentacion tjetër përcjellës, ashtu siç është përcaktuar në Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe rregullat e përcaktuara.

Shuma e keqpërdorur nga i pandehuri dhe të tjerët është 218,956.67 euro, thuhet në aktakuzë.

Përveç kësaj, Pal Lekajt, Ismet Isufit, Gani Ramës dhe Veli Hajdaragës, iu shqiptua edhe dënimi plotësues mos-ushtrimi i funksioneve në shërbime publike për dy vjet dhe 69,780 euro t’ia kompensojnë komunës, në afat prej 1 viti.

Ndërsa i akuzuari Veli Hajdaraga, ngarkohej me veprën e mashtrimit me subvencione dhe shmangie nga tatimi.

Rama, u dënua me burgim me kusht prej 1 viti, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse në periudhën prej 2 viteve nuk kryen vepër tjetër penale.

Ndërsa, Hajdaraga u dënua me dënim unik me gjobë në shumë prej 8 mijë euro dhe 1 vit burgim me kusht, i cili dënim nuk do t’i ekzekutohet nëse në periudhën prej 2 vitesh nuk kryen vepër tjetër penale.

Dënimin plotësues, pra ndalimin e ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik prej 2 vitesh, gjykata ka konstatuar se ky dënim është në përputhje me veprat e kryera penale.

Ndërsa, gjykata duke aprovuar kërkesën pasurore-juridike të Administratës Tatimore të Kosovës, kishte obliguar të akuzuarit në kompensimin e dëmit.

Hajdaraga, në cilësinë e udhëheqësit të biznesit “UNION-VL”, ka dhënë informacione jo të sakta me rastin ndarjes së subvencioneve, duke deklaruar dhe nënshkruar se kinse kanë pranuar subvencione të gjithë personat e nënshkruar në formularët mbi pranimin e tyre.

I njëjti, me qëllim të shmangies pjesërisht apo tërësisht të pagesës së tatimit, tarifave apo kontributeve tjera që kërkohen me ligj, ka prezantuar të dhëna të pavërteta lidhur me të ardhurat e biznesit të tij, pasurinë apo gjendjen ekonomike, duke deklaruar një qarkullim më të vogël sesa ai real, respektivisht duke bërë shmangie nga tatimi në shumë rreth 35,550.00 euro, thuhet në aktakuzë.

Veli Hajdaraga u dënua që të paguajë kompensim Administratën Tatimore të Kosovës shumën prej 21,283 euro në emër të tatimit të papaguar si dhe në emër të kontributeve personale shumën prej 3,435, në afat prej 1 viti.

Ky rast ishte shënjestruar për liberalizim të vizave.