Gjuha shqipe bëhet pjesë e kurrikulave në Universitetin e Harvardit

Klasat fillestare të gjuhës shqipe tashmë do të fillojnë këtë semestër në Universitetin prestigjioz të Harvardit.

Sipas një njoftimi nga vetë universiteti, tashmë gjuha shqipe i është bashkuar Departamentit e gjuhëve dhe qytetërimeve në Harvard.

Edona Cosovic, studente e vitit të dytë në këtë universitet si dhe vajza e emigrantëve shqiptarë nga Mali i Zi, ishte ajo që shtyu përpara idenë për të prezantuar gjuhën.

E rritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ajo ka mësuar të fliste shqip joformalisht në shtëpi, por ka kuptuar sa ishte e vështirë të mbante gjallë gjuhën, pavarësisht dëshirës së madhe për ta bërë këtë.

“Kur isha fëmijë, prindërit e mi nuk kishin mundësi që të na siguronin një televizion me programe shqip” – thotë ajo teksa shton se “Ne jemi në shkollë gjithë ditën, dëgjojmë TV amerikan, gjithçka është në anglisht, dhe ata gjithashtu po përpiqen të mësojnë anglisht sepse po punojnë këtu dhe po përpiqen gjithashtu të bëjnë para, kështu që ne e humbasim gjuhën shumë shpejt, brenda një brezi.”

Në mars 2022, Cosovic pyeti për mundësinë e ndërtimit të një kursi në Harvard. Ajo foli me Eva Stathi Misho, një koordinatore studentore e NELC e cila ishte e përkushtuar për të ndihmuar.

Para se të vinte në SHBA për të studiuar për klasikë në Kolegjin Hellenic në Brookline, Stathi Misho ka studiuar gjuhë dhe letërsi shqipe në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë.

Ajo shpesh pyetet se çfarë gjuhe flitet në Shqipëri.

Ajo beson se këto klasa do ta japin përgjigjen për këtë pyetje dhe sipas saj kjo tregon se “ne ekzistojmë [dhe] kemi një gjuhë,”. Ajo po u mëson djemve të saj shqip duke u lexuar dhe folur në gjuhën e saj amtare.

Harvardi është tashmë i vetmi universitet Ivy League që ofron shqip.

Megjithatë, gjuha ka një trashëgimi të gjatë mësimore në Shtetet e Bashkuara. E nxitur nga valët e hershme të emigrantëve shqiptarë, Kolumbia e mësoi atë me ndërprerje nga viti 1932 deri në vitet 1960.

E konsideruar gjerësisht ndër gjuhët më të vështira për t’u mësuar, shqipja mësohet vetëm në disa institucione të zgjedhura amerikane, duke përfshirë Universitetin Shtetëror të Arizonës, Universitetin DePaul dhe Kolegjin Mercy në Dobbs Ferry, Nju Jork.