Foto: Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme/Facebook

Gjuha shqipe në kurrikulën e Harvardit, Ministria e Jashtme e Shqipërisë: Mësohet në disa universitete të zgjedhura amerikane

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka thënë se tashmë gjuha shqipe zyrtarisht është pjesë e kurrikulës së gjuhës edhe në Universitetin e Harvardit.

Këtë semester studentët e Universitetit të Harvardit mes gjuhëve të tjera do të kenë mundësi të studiojnë edhe gjuhën shqipe.

Kjo ministri ka numëruar edhe institucionet e tjera arsimore amerikane në të cilat mësohet gjuha shqipe.

“E konsideruar gjerësisht si një nga gjuhët më të vjetra në familjen e gjuhëve indo-evropiane, e ndryshme dhe e vetmja përfaqësuese e një dege të veçantë të gjuhëve indo-evropiane, gjuha shqipe mësohet vetëm në disa institucione të zgjedhura amerikane si në Universitetin shtetëror të Arizonës, Universitetin DePaul dhe Kolegjin Mercy në Dobbs Ferry, Nju Jork, tashmë edhe në Universitetin e Harvardit” – përfundon njoftimi i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.