Gjykata e Lartë e Kalifornisë: Nuk kemi pranuar padi kundër Google nga Haki Dervishi e Neshad Asllani 

Zyrtarja për media në Gjykatën e Lartë dhe të Apelit në Kaliforni, Merrill Balassone për KALLXO.com tha që nuk ekziston ndonjë padi e dërguar në këto gjykata në emër të Haki Dervishit e Neshad Asllanit. 

“Nuk po arrijë të gjej asnjë rast për momentin e dorëzuar nga këta dy emra (Haki Dervishi and Neshad Asllani).”- tha Balassone për KALLXO.com.

Më tutje, Krypometri ka pyetur se a ka çfarëdo padie të deponuar më 9 tetor 2023, ashtu siç thotë Neshad Asllani, në këtë gjykatë. Balassone tha që nuk ekziston ndonjë padi ndaj Google as me këtë datë. 

Balassone i kanë dërguar KALLXO.com, linkun e platformës së gjykatës për të hulumtuar vetë nëse dëshirojmë.

KALLXO.com ka kërkuar në këto platforma, mirëpo në ato nuk ka asnjë rast me emrin e Haki Dervishit e as të Neshad Asllanit.

KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe tek Gjykata në regjionin gjeografik Riverside County. Kjo Gjykatë, përmes Marita Ford, ka thënë se gjitha paditë janë të publikuara dhe mund të gjenden në faqen e kësaj gjykate. 

As në platformën e Gjykatës në regjionin gjeografik Riverside County, Krypometri nuk ka gjetur padi të deponuara në emër të Dervishit e Asllanit.  

Një ditë pas pranimit të komunikatës, KALLXO.com ka kontaktuar Neshad Asllanin duke kërkuar intervistë, i cili fillimisht ka pranuar të intervistohet, por më vonë Asllani nuk është përgjigjur as në mesazhe e as në telefonata. KALLXO.com ka tentuar të kontaktojë me Asllanin edhe ditëve në vijim, por ai nuk është përgjigjur.

Më 13 tetor 2023, Neshad Asllani ka dërguar një komunikatë tek mediat përmes të cilës pretendonte se “gjiganti teknologjik Google është paditur në Gjykatën e Lartë të Kalifornisë për mospërfshirjen e gjuhës shqipe në gjuhët e mbështetura nga Google”.

Padia, thuhej se është dorëzuar nga dy shqiptarë që veprojnë në Amerikë, Neshad Asllani dhe Haki Dervishi. 

KALLXO.com në mëngjes ka dërguar pyetje në këtë gjykatë dhe në kompaninë Google në lidhje me këtë çështje, por nuk ka marrë përgjigjje deri në publikimin e këtij artikulli. Google ende nuk ka kthyer përgjigje, por Gjykata është përgjigjur në pyetjet e KALLXO.com, duke thënë se nuk kanë pranuar një përgjigje të tillë.

KALLXO.com nuk ka arritur të konfirmojë nëse një padi e tillë është dorëzuar mirëpo dërguesit e emailit kanë konfirmuar se ata janë autorë të email dhe kanë dorëzuar padinë.  

KALLXO.com gjatë ditës ka komunikuar disa herë me Neshad Asllanin, i cili ka thënë se padia është dorëzuar në Kaliforni, mirëpo ai nuk pranoi ta dërgojë padinë të cilën pretendojnë se e kanë dorëzuar. 

Asllani i cili jeton në Kosovë, tha se i qëndrojnë mbrapa lajmit për padinë, porse janë këshilluar nga avokatët që padinë që e kanë dorëzuar në Gjykatën e Lartë në Kaliforni, të mos e ndajnë me media.

“Padia është dorëzuar edhe hard-copy me postë. Ka mbërri atje brenda ditës se në Kaliforni dhe është dërguar me email prej avokatit”- tha Asllani përmes një bisede telefonike për KALLXO.

Përkundrazi, Asllani i cili është mjek dhe themelues i “Qendrës Kosovare për të Drejtat e Njeriut” dhe anëtar bordi në organizatën “Dekada për të Drejtat e Njeriut” në New York tha për KALLXO.com që është shumë i lumtur që kjo çështje aq e rëndësishme ka marrë jehonë pas padisë së tyre.

“Po më vjen keq që këto informata nuk mundem më t’i dhënë sot, por ndoshta javën tjetër do ua dërgoj. Çdo gjë do të verifikohet dhe nuk mund të publikohet nëse është e rrejshme, ose fake news diçka”- shtoi Asllani, pasi që i kërkuam dokumentacion që vërteton padinë pas raportimeve që ngrisnin dyshime për vertetësinë e padisë. “Përgjëgjësia bie mbi ne se çka me nda ose çka kemi nda.”- shtoi ai.

KALLXO.com ka kërkuar një kontakt të personit tjetër që thuhet se është pjesë e padisë, Haki Dervishi, por Asllani nuk na ka ofruar një kontakt të tillë duke thënë se i njëjti ishte në Kosovë.

Ai insiston se Dervishi është dekoruar në Amerikë dhe për këtë i ka derguar disa fotografi, të cilat KALLXO.com nuk ka arritur t’i verifikojë nëse janë autentike.

Me një observim të thjeshtë në sistemin e Google, vihet në pah që gjuha shqipe nuk është në mesin e gjuhëve të mbështetura.

Të gjithë folësit e gjuhës shqipe janë të përjashtuar nga platformat Google Ads, Google Adsense dhe Google Admob, të cilat janë të rëndësishme në zhvillimin e biznesit, në marketing dhe gazetari.

Sipas studimeve, gjuha shqipe është gjuhë indoevropiane, e cila konsiderohet, nga shumica e përfaqësuese të gjuhësisë krahasimtare, pasardhëse e drejtpërdrejtë e ilirishtes së vjetër.

Media lokale në Amerikë kanë raportuar se një qytetar me emrin Haki Dervishi ishte denuar me burg në vitin 2013, për shkak të keqpërdorimit të programit të pullave ushqimore të qeverisë amerikane. Asllani ka thënë se “Dervishi ka qenë i denuar por në fund është dal si i dëmshpërblyer, pasi padia nuk ka qenë në rregull”, edhe pse aktgjykimi thotë se i njëjti e ka pranuar fajësinë në vitin 2013. KALLXO.com nuk ka arritur të kontaktojë me Dervishin, pasi i njëjti përmes Asllanit ka thënë se nuk ka kohë të lirë.

Shënim: Më 23 tetor 2023, artikulli është përditësuar me përgjigjen e Gjykatës së Kalifornisë. Artikulli është përditësuar edhe më 13 tetor 2023 në 18:04h, pas disa komunikimeve që kemi pasur me z.Neshad Asllani, i cili e kishte dërguar komunikatën tek mediat. Është ndryshuar titulli dhe janë shtuar pjesët që KALLXO.com nuk ka arritur të konfirmojë nëse është dorëzuar padia, pasi Asllani ka refuzuar të prezantojë as padinë e dorëzuar e as identitetin e avokatit të angazhuar në këtë padi. Artikulli do të plotësohet edhe me përgjigjet e Google dhe Gjykatës së apostrofuar në Kaliforni, sapo të kemi përgjigje nga këto institucione.