Përgatitjet në Tiranë për Samitin e Procesit te Berlinit. FOTO: Valon Fana/KALLXO.com

Gjithçka gati në Tiranë për samitin e Procesit të Berlinit

Në Tiranë nesër pritet të mbahet samiti i Procesit të Berlinit, ku do të marrin pjesë udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor, kancelari gjerman Olaf Scholz, presidenti francez Emmanuel  Macron dhe përfaqësues të lartë të Bashkimit Europian.

Për këtë në kryeqytetin e Shqipërisë janë bërë përgatitjet e nevojshme.

KALLXO.com sjell fotografi nga Tirana, e cila është mbushur me flamujt e Shqipërisë, Gjermanisë. Francës dhe Bashkimit Europian.

Presidenti francez Emmanuel Macron ka shtyrë për disa orë mbërritjen në Shqipëri për shkak të një sulmi ekstremist, ku u vra një mësues, dhe situatës në Lindjen e Mesme.

Ai nuk do të mund të marrë pjesë në takim por do të vazhdojë me planin për vizitë zyrtare në Shqipëri.

Në Procesin e Berlinit merr pjesë edhe Kosova si shtet, sikurse shtetet e tjera.

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se Procesi i Berlinit është i nevojshëm për integrimin në BE.

Samiti i Berlinit po ndodh në një kohë kur Kosova është përballur me një situatë të tensionuar në veri të vendit. Një polic i Kosovës u vra nga një grup terrorist në Banjskë të Zveçanit.

Procesi i Berlinit është një nismë e iniciuar më 2014 nga kancelarja e atëhershme e Gjermanisë, Angela Merkel. Ky proces përqendrohet në lëvizjen e lirë të njerëzve, shërbimeve, mallrave dhe kapitalit.

Procesi përfshin të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor: Kosovën, Shqipërinë, Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë e Hercegovinën.

Shtetet pjesëmarrëse të BE-së janë: Austria, Bullgaria, Kroacia, Franca, Greqia, Gjermania, Polonia, Sllovenia dhe Italia.

Kancelari Scholz më herët ka bërë të ditur se synon që ta ringjallë këtë proces, duke thirrur një takim në Berlin më vonë gjatë këtij viti.

Tashmë është publikuar edhe agjenda e plotë e këtij samiti.

 

Nesër mbahet samiti i Berlinit në Tiranë