Ndërtimi i poligonit sportiv afër gjimnazit "Ulpiana" në Lipjan, Foto: Komuna e Lipjanit - Facebook

Gjimnazit në Lipjan po i ndërtohet poligoni sportiv, para renovimeve të domosdoshme brenda shkollës

Komuna e Lipjanit ka bërë të ditur se gjimnazit “Ulpiana” në këtë qytet po i ndërtohet një poligon sportiv modern, para paralajmërimeve për renovime shtesë brenda shkollës gjatë verës së këtij viti.

“Komunës së Lipjanit tashmë po i shtohet edhe një poligon sportiv modern, së fundmi po punohet me intensitet të lartë në rregullimin e poligonit sportiv në Gjimnazin Ulpiana në Lipjan”, thuhet në publikimin e komunës në Facebook.

Këto punime po bëhen në kohën kur gjimnazi në Lipjan ka nevojë për renovime brenda shkollës.

KALLXO.com ka raportuar se objekti i ri i gjimnazit “Ulpiana” në Lipjan ndonëse ka katër vite që është ndërtuar, do t’i nënshtrohet disa renovimeve shtesë.

Kështu pati paralajmëruar kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti në një bashkëbisedim që ka pasur në fillim të muajit mars me të rinjtë lipjanas.

“Këtë vit do të ketë renovime shtesë në shkollën tuaj, përveç banjove dhe dyshemesë që është shkatërruar për 2-3 vjet fatkeqësisht. Do të fillojmë gjatë verës ta renovojmë siç është renovuar shkolla ‘Adem Gllavica’ në atë pjesë”, ka thënë Ahmeti.

KALLXO.com ka mësuar se ende nuk ka nisur asnjë renovim brenda shkollës.

Burimi: Facebook

Kurse, asamblistja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Kelmendi, kishte thënë për KALLXO.com se objekti i gjimnazit ka ndërtim të cilësisë së dobët.

Sipas Kelmendit, e cila gjithashtu është mësimdhënëse në këtë shkollë, objekti është vënë në përdorim në shtatorin e vitit 2016, pas një periudhe të gjatë zvarritjeje.

Ajo ka shtuar se pas kalimit në këtë objekt filloi edhe shpërfaqja e problemeve të shumta.

 “Fatkeqësisht, si fenomen i parë tashmë në komunën tonë, edhe në mbarë vendin, bëhej fjalë për një ndërtim të cilësisë së dobët, derivuar nga një tender i majmë. Dyer e dritare të dobëta, që shpesh rrezikonin edhe jetën e nxënësve, banjo jofunksionale, të cilat menjëherë kërkonin renovim të elementeve, salla sportive e cila mbet e papërdorur për një kohë të gjatë, tavane që nuk e mbanin shiun etj”, theksoi ajo për KALLXO.com.