Objekti i gjimnazit “Ulpiana” në Lipjan, Foto: Facebook

Paralajmërohet renovimi i objektit të ri të gjimnazit "Ulpiana" në Lipjan, opozita kritikon pushtetin

Objekti i ri i gjimnazit “Ulpiana” në Lipjan ndonëse ka katër vite që është ndërtuar, do t’i nënshtrohet disa renovimeve shtesë.

Kështu ka paralajmëruar kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti në një bashkëbisedim që ka pasur javën e kaluar me të rinjtë lipjanas.

“Këtë vit do të ketë renovime shtesë në shkollën tuaj, përveç banjove dhe dyshemesë që është shkatërruar për 2-3 vjet fatkeqësisht. Do të fillojmë gjatë verës ta renovojmë siç është renovuar shkolla ‘Adem Gllavica’ në atë pjesë”, ka thënë Ahmeti.

Në anën tjetër, opozita po e fajëson pushtetin për gjendjen në objektin e gjimnazit.

Asamblistja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Kelmendi, ka thënë për KALLXO.com se objekti i gjimnazit ka ndërtim të cilësisë së dobët.

Sipas Kelmendit, e cila gjithashtu është mësimdhënëse në këtë shkollë, objekti është vënë në përdorim në shtatorin e vitit 2016, pas një periudhe të gjatë zvarritjeje.

Ajo ka shtuar se pas kalimit në këtë objekt filloi edhe shpërfaqja e problemeve të shumta.

“Fatkeqësisht, si fenomen i parë tashmë në komunën tonë, edhe në mbarë vendin, bëhej fjalë për një ndërtim të cilësisë së dobët, derivuar nga një tender i majmë. Dyer e dritare të dobëta, që shpesh rrezikonin edhe jetën e nxënësve, banjo jofunksionale, të cilat menjëherë kërkonin renovim të elementeve, salla sportive e cila mbet e papërdorur për një kohë të gjatë, tavane që nuk e mbanin shiun etj”, theksoi ajo për KALLXO.com.

Kelmendi thotë se ndonëse kanë kaluar më shumë se katër vjet prej funksionalizimit të objektit, pak renovime janë bërë nga komuna.

“Nxënësit vazhdojnë të ballafaqohen me probleme në klasa, siç janë dyer e dritare të dëmtuara që nuk mbyllen, banjo jofunksionale, e mungesë të ujit të pijshëm e sistem ngrohjeje i cilësisë së ulët, gjë që e vështirëson tej mase vijimin e mësimit në stinën e dimrit”, shtoi mësimdhënësja.

Sipas saj, shkolla numëron afro 1,500 nxënës, ndërsa intervenimi në të nga ana e ekzekutivit është jashtëzakonisht i domosdoshëm.

KALLXO.com i ka dërguar pyetje Komunës së Lipjanit se kur më saktësisht pritet të nisin renovimet në shkollë, mirëpo deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pranuar ndonjë përgjigje.

Komuna e Lipjanit udhëhiqet nga Imri Ahmeti i cili vjen nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).