Vaksina, ilustrim

Gjilani pranon 640 vaksina anti-COVID, kërkohet nga qytetarët të regjistrohen për të parandaluar tollovinë

Sot, Komuna e Gjilanit ka pranuar 640 doza të vaksinës “AstraZeneca”, nga 38,400 vaksinat që kanë arritur të mërkurën në Kosovë.

Nga Komuna kanë kërkuar nga qytetarët që të regjistrohen për të parandaluar tollovinë.

Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, ka bërë të ditur se prioritet është grup-mosha mbi 70 vjeç, të cilët janë regjistruar, por që nuk janë vaksinuar akoma.

“Ekipet e vaksinimit do t’i kontaktojnë qytetarët mbi moshën 70-vjeçare sipas planit dinamik të vaksinimit. Ndërkaq, kërkojmë nga qytetarët mbi moshën 65-vjeçare që të fillojnë të regjistrohen për vaksinim në Qendrat më të afërta të mjekësisë familjare. E kemi bërë planin që të mos shkaktohet tollovi në këtë proces të ruajtjes së shëndetit publik”, ka thënë Haziri.

Kryetari i Gjilanit bëri të ditur se vaksnimi do të bëhet në Qendrën e Mjekësisë Familjare “Ramiz Cernica”, në rrugën “Pajazit Ahmeti” (afër tregut të rërës).

Përndryshe, në fazën e parë janë vaksinuar 1377 qytetarë, përkatësisht të moshës mbi 75 vjeçare, përfshirë edhe punëtorët shëndetësorë.

Ndërkaq, pasqyra e përgjithshme në Gjilan që prej fillimit të pandemisë është si vijon: nga 20,916 mostra, 6,373 kanë rezultuar pozitivë, 6,146 janë shëruar, 144 qytetarë e kanë humbur betejën me virusin.

Aktualisht 83 raste janë aktive, 23 të hospitalizuar me COVID dhe 61 mostra në pritje për rezultat.