Ilustrim

Gjendja shëndetësore e të plagosurve në Skenderaj, flasin nga QKUK

Njëri nga tre personat që u plagosën dje në fshatin Runik të Skenderajt, është në gjendje pak më të rënduar, ndërsa dy të tjerët janë jashtë rrezikut për jetë.

Siç ka mësuar KALLXO.com të plagosur kanë mbetur personat me inicialet M. R., F. J. dhe Q. J.

Kështu konfirmoi Zyra për Media e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës për KALLXO.com.

Ndërkaq, drejtori i Klinikës së Ortopedisë, Gani Jashanica tregoi se njëri prej pacientëve është në Klinikën Intensive pasi ka pësuar amputim të gjymtyrës.

Jashanica tha se njëri prej pacientëve, i cili ka lëndime në thembër është dërguar në Ortopedi, ndërsa pacienti tjetër, me lëndime në gju pritet të dërgohet në Ortopedi.

Një person mbeti i vrarë pas mesnatës së mbrëmshme në një kafiteri në fshatin Runik Të Skenderajt pasi persona të maskuar shtien me armë zjarri.

Policia ka njoftuar se një 39 vjeçar ka mbetur i vdekur pasi është goditur me armë zjarri, derisa të plagosur kanë mbetur tre persona tjerë.

Personat e maskuar kanë përdorur sipas të dhënave të Policisë dy lloje të armëve.

“Rreth orës 01:21, të datës 10 gusht 2023, policia ka marrë informatën për të shtëna me armë zjarri në një kafiteri në fshatin Runik të Skenderajt. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e nevojshme policore dhe ekipi mjekësor”, njofton Policia.

“Bazuar në hetimet  fillestare, nga arma e zjarrit lëndime kanë pësuar katër persona, njëri nga të lënduarit viktima N. L., 39 vjeçar, ka ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa, tre persona të tjerë të lënduar (po ashtu nga arma e zjarrit) janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK”, bën të ditur Policia.

Skenderaj: Vrasje si në filma, maskat vrasin në kafiteri