Foto: Ilustrim

Gjenden mbetje mortore në hapësirat e KFOR-it në Prishtinë

Janë gjetur disa mbetje mortore në bazën e KFOR-it që gjendet në lagjen Arbëria të Prishtinës, gjatë ditës se sotme, deri sa eskavatorët ishin duke punuar për ndërtimin e një godine të re.

KFOR në një përgjigje për KALLXO.com ka konfirmuar gjetjen e mbetjeve mortore.

Sipas përgjigjes së tyre, nuk dihet se cilës kohë i takojnë mbetjet mortore e as se të sa personave mund të jenë ato.

“Gjatë punimeve të gërmimit për ndërtimin e një godine të re, me sa duket u gjetën mbetje njerëzore. Për momentin nuk dihen detaje të tjera”, thuhet në përgjigjen e KFOR për KALLXO.com.

Hetimet, sipas KFOR-it, janë duke vazhduar dhe janë duke u zhvilluar nga Policia Ushtarake e KFOR-it dhe Policia e Kosovës.

“Të gjitha provat i janë dorëzuar Policisë së Kosovës, e cila është duke e zhvilluar hetimin e rastit”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.