Gazetari Valon Fana: Marrëveshja me Turqinë për shërimin e pacientëve do t’ia kursente miliona euro Kosovës

Valon Fana, gazetar i Kallxo.com, ka thënë se barra për të gjetur spitalin për shërim jashtë institucioneve publike shëndetësore u bie familjarëve të pacientëve andaj ata shkojnë në agjencitë që janë hapur afër Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.

“Mua po më duken këto si agjenci turistike me ofertat më të mira kush i ka dhe ai do me kry hallin e vet, pra shteti ia ka lënë në dorë pacientëve të merren me këto çështje” – ka thënë Fana në debatin për keqmenaxhimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.

“Ajo çfarë kemi parë ne gjatë analizës së legjislacionit për Fondin e Sigurimeve Shëndetësore është se ka një mal me probleme. Komplet barra për me gjetë spitalin privat i takon një pacienti” – ka deklarua ai në emisionin “Kallxo Përnime”.

Ai ka folur edhe për një marrëveshje mes Kosovës dhe Turqisë për dërgimin e 100 pacientëve për shërim në Turqi pa kosto shtesë.

Fana tha se jo çdo herë është plotësuar numri prej 100 pacientëve.

“Në vitin 2009, Kosova dhe Turqia kanë lidhur një marrëveshje e cila i siguronte Kosovës 100 pacientë për shërim në Turqi, falas. Ajo çfarë kam parë unë nga të dhënat, është se jo gjithherë janë dërguar 100 pacientë për shërim në Turqi, pra falas, d.m.th. nuk është plotësuar 100 për qind numri. Pse shteti nuk i ka dërgu 100 pacientë, kjo do t’i kursente miliona euro buxhetit” – ka thënë ai.

Në anën tjetër, ushtruesi i detyrës i drejtorit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, Bujar Kaçuri, tha se për shkak të borxheve të krijuara në Fond, Turqia ka vendosur mos ta zbatojë më marrëveshjen.