Deponia në lagjen 'Ali Ibra'

Komunës së Gjakovës nuk i mjaftuan 460 mijë euro për pastrimin e një deponie

“Që 7 vjet digjet deponia te ‘Ali Ibra’, çdo vit, edhe çka është më interesant, edhe ka shtëpia ime vjen tymi”, kishte thënë kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, kur ishte pyetur në ‘Jeta në Komunë’ për djegien e mbeturinave në deponinë në lagjen ‘Ali Ibra’ të Gjakovës.

461 mijë euro është shuma që Komuna e Gjakovës ka shpenzuar për trajtimin e një deponie në periferi të qytetit.

Paratë janë shpenzuar, mirëpo deponia vazhdon të ekzistojë, edhe pse për të u thanë fjalë të ‘mëdha’ që do pastrohet, trajtohet dhe rigjenerohet.

Për më tepër, deponia gjendet shumë afër një lokacioni ku jeton komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptianë.

Gjatë verës së vitit të kaluar, deponia për disa ditë rresht është djegur, duke mbuluar një pjesë të madhe të qytetit të Gjakovës nga tymi.

Pas asaj gjendje, Komuna e Gjakovës reagoi dhe siguroi një fond prej 400 mijë euro nga Ministria e Ekonomisë, për ta trajtuar dhe ‘zhdukur’ deponinë.

Deponia, është qendër transfer, ku aty grumbullohen mbeturinat nga i gjithë qyteti i Gjakovës.

Marrëveshja ndërmjet Ardian Gjinit, si kryetar i komunës dhe Blerim Kuçit si ministër i Ekonomisë dhe Ambientit në atë kohë, është nënshkruar më 10 korrik 2020. Marrëveshja parashihte që Ministria e Ekonomisë këtë projekt ta financojë më 400 mijë euro në vitin fiskal 2020, ndërsa komuna e Gjakovës, të kontribuojë me 20 mijë, nga kategoria ‘Mallra dhe Shërbime’ të buxhetit.

Deponia në lagjen ‘Ali Ibra’

Procedurat e tenderimit

Për të zgjedhur kompaninë që do të merrej me këtë projekt, Komuna e Gjakovës inicioi aktivitetin e prokurimit më 17 korrik 2020, 7 ditë pasi kishte siguruar fondet.

Vlera e parashikuar e këtij tenderi ishte pikërisht 420 mijë euro.

Në këtë tender, Komuna ka përdorur procedurë të negociuar, e cila përdoret zakonisht vetëm në raste emergjente. Në rastin konkret, është ftuar kompania ‘Korben’ për të aplikuar në tender. Oferta e Korben ishte e njëjtë me çmimin e parashikuar në prokurim dhe saktë me fondin e siguruar nga Komuna, 420 mijë euro.

Që nga viti 2018 e deri më tash, kompania ‘Korben’ i ka të fituar mbi 40 tenderë nga komuna që udhëhiqet nga Ardian Gjini.

Kompania ‘Korben’ duke qenë e vetmja kompani në garë dhe pa konkurrencë, e fitoi tenderin. Pikërisht ishte kjo një nga arsyet se pse kjo kontratë u zgjodh për t’u analizuar. Faqja Flamujt e Kuq në Prokurim Publik ka mundësuar që të gjenden më lehtë tenderë që potencialisht mund të kenë keqpërdorime. Për këtë tender një nga Flamujt e Kuq është përdorimi i procedurës së negociuar për një tender ku natyra e punëve mundëson të kryhet nga çdo kompani që posedon kamionë për të bartur mbeturina.

Pasi që komuna e ka kufizuar konkurrencën për shkak që ka ftuar vetëm një kompani, shkaku i mungesës së konkurrencës, çmimi i kontratës është i njëjtë me vlerën e parashikuar.

Kontrata është nënshkruar me 22 korrik 2020.

Nuk mjaftoi vetëm një kontratë

Në kontratën e nënshkruar më 22 korrik, thuhet se afati i përfundimit të punimeve është 30 ditë, pas nënshkrimit të kontratës. Rrjedhimisht, me 22 gusht 2020.

Sipas kontratës ishin caktuar edhe specifikat e punëve.

“Ngarkimi me eskavator i mbeturinave, pastrimi i terrenit në stacionin transferues të mbeturinave në Gjakovë deri në deponinë Regjionale Landovicë. Distanca 30 km vajtje dhe 30 km ardhje. Llogaritja në ton. Pesha e matur në deponinë regjionale duhet të dëshmohet”, thuhet në kontratë. Për këtë qëllim, ishte caktuar që për 25 mijë ton mbeturina, të paguhet 237 mijë e 500 euro.

Ndërsa 182 mijë e 500 euro të tjera ishin caktuar për ‘Pagesën e taksës për deponimin e mbeturinave në Deponinë Regjionale Landovicë’, duke arritur shumën totale 420 mijë euro.

Për bartjen e mbeturinave në Deponinë e Landovicës në Prizren, Komuna e Gjakovës me 23 korrik 2020 i ishte drejtuar Kompanisë për Menaxhimin e Deponimeve (KMDK), që të lejohet bartja pa pagesë.

“Komuna e Gjakovës kërkon nga ju si menaxhment që ta lejon kompaninë e kontraktuar nga Komuna e Gjakovës që të bëjë bartjen e mbeturinave nga Stacioni Transfer për shkarkim në Deponinë e Landovicës në Prizren pa pagesë dhe deponitë tjera ku menaxhohen nga ana juaj”, thuhet në kërkesën e Komunës.

Kërkesa është miratuar nga ana e KMDK-së, që bartja e mbeturinave të kryhet pa pagesë.

“Pranimi i mbeturinave do të pranohet deri në atë masë, sa KMDK do të mund të përballojë në aspektin financiar dhe operativ”, thuhet në vendimin e KMDK-së.

Por, 420 mijë euro nuk mjaftuan për të eliminuar deponinë. Komuna u detyrua për të nënshkruar edhe një kontratë tjetër me të njëjtën kompani, për të njëjtin qëllim.

Me 22 tetor 2020, Komuna e Gjakovës dhe kompania ‘Korben’ nënshkruan aneks-kontratën për ‘Trajtimin e deponisë në lagjen ‘Ali Ibra’ në Gjakovë’. Vlera e kësaj kontrate të dytë ishte 41 mijë e 852 euro.

Në arsyetimin për nënshkrimin e kësaj kontrate thuhet se kanë dalë punë shtesë të paparashikuara.

“Kontrata bazë që është duke u përmbushur, është vazhduar edhe për kryerjen e shërbimeve shtesë të paparashikuara, si marrëveshje reciproke në mes palëve. Plani dinamik për kryerjen e shërbimeve është 30 ditë”, thuhet në Kontratën e nënshkruar.

As 461 mijë euro nuk ishin të mjaftueshme për pastrimin e deponisë

461 mijë euro është shuma totale që Komuna e Gjakovës ka shpenzuar për pastrimin dhe eliminimin e deponisë. Por deponia nuk  është eliminuar, ajo vazhdon të digjet kohë pas kohë, sidomos në muajt e verës, ndërsa qytetarët e Komunës së Gjakovës vazhdojnë të ‘thithin’ tymin.

Kontrata fillestare e nënshkruar në mes të Komunës së Gjakovës dhe kompanisë ‘Korben’ ishte amadamentuar me datë 8 gusht 2020.

Kjo pasi që Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë, kishte lejuar kompaninë në fjalë që të bartë pa pagesë mbeturinat në Deponinë e Landovicës në Prizren.

Në kontratën e amadamentuar, thuhet se pasi që është lejuar bartja e mbeturinave pa pagesë, pozicioni 2 i kontratës fillestare, që ishte ‘Pagesa e taksës për deponimin e mbeturinave në Deponinë Regjionale Landovicë’ me çmim 182 mijë e 500 euro, do të kalkulohet dhe shpenzohet për pozicionin 1 të kontratës. Ky pozicion, caktonte largimin e 25 mijë ton mbeturinave, ndërsa me shtimin e pozicionit 2, shtoheshin edhe 19 mijë e 210 ton mbeturina të tjera, që në total i bie 44 mijë e 210 ton.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë, ka thënë se kompania e kontraktuar nga Komuna e Gjakovës, ka bartur në Deponinë e Landovicës 24 mijë e 503 ton, pa pagesë.

“Duke u bazuar nga ky fakt, në emër të humanizmit dhe evitimit të rreziqeve mjedisore, duke u bazuar edhe nga praktikat e më hershme, ku kemi pasur kërkesa nga ish MZHE dhe MMPH, që t’i pranojmë pa pagesë, ti mbështesim dhe japim kontribut në aksionet e organizuara nga institucionet lokale qendrore në eliminimin e dukurive të tilla negative mjedisore”, thuhet në përgjigjen për KALLXO.com.

Në anën tjetër, në dokumentet që vet Komuna e Gjakovës ka ofruar për KALLXO.com, ndër të tjera, janë faturat e paguara, vetëm për shumën 217 mijë e 500 euro, ndërsa për pjesën tjetër të kontratës së parë të nënshkruar, në shumën prej 202 mijë e 500 euro dhe të aneks kontratës prej 41 mijë e 852 euro nuk ka fatura të ofruara, apo të paraqitura.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Komuna e Gjakovës fillimisht nuk ka pranuar të ofrojë informacion për faturat, duke sugjeruar që të drejtohemi të Ministria e Ekonomisë, edhe pse këta të fundit janë vetëm bashkëfinancues të projektit, e jo implementues.

“Lidhur me kërkesën e parashtruar ne ju kemi ofruar dokumentet që ne posedojmë përmes procedurave që janë realizuar në Komunën e Gjakovës. Me që ka qenë mbështetje e Ministrisë, për informacione të tjera ju lutem drejtohuni në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Komunës së Gjakovës”.

Ndërsa më pas, pas insistimit, Komuna e Gjakovës përmes një përgjigje zyrtare me shkrim, përsëri nuk ka ofruar informacion për faturat që nuk ka ofruar qasje, duke thënë se posedon vetëm faturat e pjesës që ka kontribuar në fillim, atë prej 20 mijë eurove.

“Komuna e Gjakovës, Zyra e Prokurimit dhe Zyra e Financave në origjinal i posedon Faturat, raportet, dëshmitë e deponimit në Landovicë për 20,000.00 euro bashkëfinancim dhe 41,852.25 euro aneks kontratë. Vlera prej 400,000.00 euro duhet kërkohet sqarim nga Ministria e Ekonomisë”.

Deponia duke u djegur. Qershor 2021

Komuna, e ka pranuar që mjetet e shpenzuara nuk kanë qenë të mjaftueshme për pastrimin total të deponisë, ndërsa ka premtuar se deri në vjeshtë, do të përfundojë pastrimi i tërësishëm.

“Mjetet nuk kanë të mjaftueshme për pastrimin total të deponisë. Deri më tani, ka arritur që të pastrohet 80% e deponisë së krijuar. Pjesa e mbetur, po vazhdon të pastrohet nga KRM “Çabrati” dhe deri në vjeshtë pritet që të përfundoj pastrimi i tërësishëm”, thuhet në përgjigjen me shkrim.

Në anën tjetër, në një përgjigje për KALLXO.com, pronari i kompanisë fituese të tenderit, Ndue Komani, ka thënë se kontrata e nënshkruar është realizuar në tërësi, ndërsa në lidhje me pozicion 2 të kontratës që është amadamentuar, ka thënë se pagesa i është bërë për transport, duke sugjeruar që për detaje të drejtohemi tek komuna.

“Marrëveshja që është bërë me deponinë, ato mu kanë kthy mu, pagesat që ka pas me u bo në deponi, më është kthyer mua në transport. Domethënë pagesa është liru dhe unë është dashtë me bo transport dy herë, edhe atë pjesën e parë edhe në fazën e dytë më është dashtë me realizu në transport”, ka thënë Komani përmes telefonit.

Ndërsa, Ministria e Ekonomisë ka thënë se sipas marrëveshjes së nënshkruar me Komunën e Gjakovës, shuma prej 400 mijë eurove i është transferuar Kompanisë Regjionale të Mbeturinave ‘Çabrati’, kurse ka ofruar faturat për pjesën që ka kontribuar në këtë projekt, në vlerë 400 mijë euro.

“Të gjitha përgjegjësitë dhe obligimet që dalin nga kontrata për shërbimin e pastrimit të deponisë në lagjen ‘Ali Ibra’ janë përgjegjësi e KK Gjakovë dhe KRM Çabrati”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e ministrisë.

Kurse Komuna e Gjakovës, fajin për këtë deponi ia ka lënë administratës së kaluar, përkatësisht kohën kur me Gjakovën ka udhëhequr Mimoza Kusari-Lila, pasi sipas tyre, në atë kohë  është lejuar që gjithë mbeturinat të dërgohen në qendrën transfer.

“Përgjegjësia për grumbullimin e mbeturinave në qendrën transfer, është plotësisht e administratës së kaluar, e cila ka pas lejuar që për tre vite, të gjitha mbeturinat në vend që të dërgohen në Landovicë janë deponuar në qendrën Transfer. Kjo ka ndodhur për arsye se komuna në të kaluarën nuk i ka dhënë mbështetje të mjaftueshme KRM “Çabrati”, ashtu që ti mbuloj shpenzimet operacionale dhe fikse që i shkakton largimi/transferimi i mbeturinave në Landovicë”,  është arsyetimi i Komunës së Gjakovës, për deponinë në lagjen ‘Ali Ibra’.

Sipas një Raporti të vitit 2020 të Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit, në komunën e Gjakovës ekzistojnë 63 deponi ilegale, prej tyre 11 janë të vogla, 9 janë të mesme dhe 43 janë të mëdha.

Sipas të njëjtit Raport, Komuna e Gjakovës për menaxhimin e mbeturinave në vitin 2019 kishte vetëm 13 kamionë, 3 traktorë dhe 1,605 kontejnerë.

Ky artikull është botuar me mbështetje të Demokraci Plus (D+). Përmbajtja e këtij shkrimi është përgjegjësi e vetme e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqes pikëpamjet e Demokraci Plus.