Gashi tregon pse është e rëndësishme të dihet se kush i menaxhon dhe i mbikëqyr kamerat në veri të Kosovës

Gazetari hulumtues i KALLXO.com, Kreshnik Gashi, në emisionin “Kallxo Përnime” tha se hetuesit e Policisë së Kosovës dhe njerëzit që e menaxhojnë Policinë e Kosovës në veri të vendit nuk kanë pasur interesim për të kuptuar se kush i ka vendosur kamerat që vëzhgojnë lëvizjet e qytetarëve në komunat veriore.

“Policia e Kosovës ka nisë me verifiku kush i ka vendos këto kamera vetëm pasi na jemi interesu dhe kemi shkru email dhe jemi interesu në Drejtorinë qendrore të Policisë së Kosovës dhe pastaj me një urdhër special Policia Rajonale e Mitrovicës së Veriut është obligu me dalë në terren dhe me mbledh informacione se kush i kontrollon këto kamera të sigurisë”, ka thënë ai.

Në emisionin e sontëm po debatohet rreth hulumtimit të emisionit “Kallxo Përnime” që vuri në pah ekzistimin e kamerave në komunat veriore, kamera këto që nuk i kontrollojnë institucionet e Kosovës.

Gashi tregoi edhe pse është e rëndësishme të dihet se kush i menaxhon dhe mbikëqyrë këto kamera.

“Është fakti se në shumicën e rasteve Policia e Kosovës në atë zonë kur ka pasur intervenime dhe kur ka pasur ndërhyrje, kemi pasur akuza dhe kundërakuza për rrjedhje të informacioneve dhe për faktin që njerëz të caktuar e kanë kuptuar që Policia po shkon në drejtim të tyre”, ka thënë ai.

Kryeredaktori i KALLXO.com tutje tha se ka një shthurje mes institucioneve të Kosovës, të cilat janë të thirrura t’i mbikëqyrin këto kamera.

“Është Policia e Kosovës e cila do të duhej se kush ka në secilën zonë kamera të sigurisë dhe të merrte në menaxhim ato kamera të sigurisë. Pra nëse komunat kanë vendosur kamera të sigurisë në zona publike atëherë Policia e Kosovës sipas Ligjit është e obliguar me i marrë ato dhe me i mbikëqyrë në zyrat e veta dhe komandat e veta”, ka thënë Gashi.

Ai tutje foli për hulumtimin që ka bërë KALLXO.com lidhur më këto kamera dhe tha se dyshimet që janë ngritur në emision duhet menjëherë të verifikohen prej Policisë.

“Në komunën e Zvçanit e kemi marrë përgjigjen më interesante, faktin që njëri nga rojtarëve na ka konfirmuar që kamerat menaxhohen prej strukturave paralele dhe baza e tyre është diku të stacioni i autobusëve në veri të Mitrovicës aty ku supozohet që ekziston baza e mbrojtjes civile dhe strukturave paralele që veprojnë në atë zonë”, shtoi tutje Gaxhi.

Sipas tij, kjo nuk është një problematikë e vogël sepse kemi të bëjmë me mijëra informacione që i marrin këto kamera të cilat mund të shfrytëzohen dhe keqshfrytëzohen nga njerëzit që i menaxhojnë.

Kallxo Pernime mbrëmë ka transmetuar hulumtimin “Përgjimi i veriut dhe Arratisja e Radojiçiqit”.

Kush i kontrollon kamerat e vendosura në disa lokacione në veri të Kosovës?

www.kallxo.com