Gashi për pronat e Radoiçiq: Bastisja ka ndodhur tash sepse tash ka ndodhur një tragjedi, ajo e Bansjkës

Redaktori menaxhues i Kallxo.com Kreshnik Gashi në emisionin #Kallxopërnime ka deklaruar se Millan Radoiçiq ka arritur që të ketë kontrollë mbi dy shtete, Kosovën dhe Serbinë.

Sipas Gashit, elementi i parë që duhet të konstatohet është që Radoiçiq dhe grupi i tij janë krijesa të shtetit serb dhe të hapësirës të cilën e ka krijuar Serbia dhe po ashtu edhe toleranca që ia ka garantu shteti i Kosovës.

“Elementi i parë që duhet me u konstatu është që Radoiçiq dhe grupi i tij janë krijesa të shtetit të Serbisë dhe të hapsirës të cilën e ka krijuar shteti i Serbisë dhe po ashtu edhe toleranca që ia ka garantu në një formë shteti i Kosovës me njerëz të krimit dhe korrupsionit të cilët kanë qenë, duke u nisë nga Prokuroria e Shtetit e teposhtë, në Polici të Kosovës e të tjerë”- ka deklaruar Gashi.

“Pra, po flasim për një njeri i cili ka arritë me kontrollu kisha me thënë dy shtete. Ka mbërri me kontrollu edhe Serbinë edhe Kosovën, ka mbërri me kontrollu policët e asaj zone dhe kësaj zone dhe ka arrit me i siguru vetes një hapësirë të sigurtë për veprim dhe operim”- tha ai.

Gashi ka thënë se bastisja e pronave të Radoiçiqit ka ndodhur për shkak të tragjedisë në Banjskë, ku u vra rreshteti  Afrim Bunjaku si pasojë e një sulmi terrorist ndaj Policisë së Kosovës, nga një grup që udhëhiqej nga Radoiçiq.

Sipas gazetarit, kur ndodhin tragjeditë më pas ja nisë shteti të punojë dhe të kërkojë llogari.

“Sepse na ka ndodhë një tragjedi, edhe kur ndodhin tragjeditë pastaj shteti ja nisë me punu dhe ja nisë me kërku llogari dhe tash është problemi që këta po dojnë Millanin me shpallë organizatorin e krejt seneve dhe me shpëtu tjerët, edhe politikanët edhe policët edhe prokurorë dhe të gjithë ata që e kanë toleru Millanin për me e marrë këtë pushtet”- vlerëson ai.

Më tej, Gashi tha se Ligji thotë që mund të shkosh dhe të pranosh një vrasje, por nuk do të thotë se je fajtor, teksa shton se Radoiçiq duhet të hetohet deri në fund për të parë se nga kush është financuar.

“Ligji thotë që ti mundesh me shku me pranu një vrasje por nuk do të thotë që ti je fajtor sepse Prokuroria duhet me zbulu se kush të ka ndihmu me e kry dhe krejt të tjerat. Edhe në këtë rast, fakti që Millani e ka marrë përgjegjësinë nuk do të thotë se ai është kryersi komplet, duhet me u hetu deri në fund me e pa se kush e ka financu Millanin për me e ndërtu këtë perandori, kush e ka toleru?”- theksoi Gashi.

“Fakti që ai po don me e koncentru përgjegjësinë tek një individ, nuk duhet me ra në gracën e tij për shkak se shteti i Kosovës tash edhe ato ndërkombëtare duhet me ndjekë çdo njeri që e ka përkrah këtë person, për me ardh në pushtet, për me i rujtë paret dhe e treta për me e kry këtë sulm terrorist ndaj Kosovës”- tha mes tjerash gashi nga KALLXO.com.