Futbollisti izraelit arrestohet në Turqi, shfaqi një mesazh lufte gjatë një ndeshje futbolli

Një futbollist izraelit i cili e ka shfaqur një mesazh që i referohej luftës Izrael-Gaza gjatë një ndeshjeje në Turqi është arrestuar, sipas raportimeve nga mediat turke.

Pasi shënoi golin për skuadrën e tij kundër Trabsonspor, Sagiv Jehezkel zbuloi një mesazh ku shkruhej “100 ditë. 07/10” në një fashë në kyçin e dorës së majtë.

Mesazhi ishte një referencë për sulmin e Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor dhe numrin e ditëve që më shumë se 130 pengje izraelite janë mbajtur në Gaza. Sulmi i vazhdueshëm i Izraelit për të shkatërruar Hamasin ka vrarë të paktën 23,000 njerëz në Gaza – kryesisht gra dhe fëmijë – sipas Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi.

Më herët të dielën, ministri i Drejtësisë i Turqisë ka njoftur për një hetim ndaj Jehezkel në lidhje me incidentin e dyshuar për “nxitje të urrejtjes”, pasi klubi i tij, Antalyaspor, e shkarkoi atë për të njëjtën çështje.

Përmes një postimi në internet, Ministri turk i Drejtësisë, Yilmaz Tunc, ka  thënë se Zyra e prokurorit publik të Antalias ka hapur një hetim gjyqësor kundër futbollistit izraelit Sagiv Jehezkel për nxitje publike për urrejtje për shkak të festimit të tij në favor të masakrës së kryer nga Izraeli në Gaza.

Që nga fillimi i konfliktit, presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan, një mbështetës tradicional i çështjes palestineze, e ka përshkruar vazhdimisht Izraelin si një “shtet terrorist”, duke këmbëngulur se Hamasi është një “grup çlirimtarësh”./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala