Fushë-Kosovë, arrestohet për prodhim dhe vënie në qarkullim të mishit të pakontrolluar - FOTO

Njësitet policore dhe inspektorë të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë kanë arrestuar një person në Fushë-Kosovë nën dyshimin për shitje te produkteve të mishit të pakontrolluar.

Policia përmes një komunikate për media bëri të ditur se rreth orës 16:00 kanë marrë një raportim se në një lokal (qebaptore) po shiteshin produkte mishi të pakontrolluar.

Në vendin e ngjarjes Policia ka gjetur një sasi të mishit (rreth 120 kg), pa dokumentet e nevojshme të kontrollit nga personi kompetent apo enti i autorizuar, pa dokumente të prejardhjes dhe pa datën e prodhimit apo të skadimit të afatit.

Tutje, në njoftim potencohet se edhe në oborrin e shtëpisë së personit të dyshuar, në lagjen “Kalabria”, në Prishtinë, në një depo, nga njësitet policore të stacionit Jugu në Prishtinë, është gjetur një sasi rreth 50 kg mish, pa dokument të prejardhjes, apo datën e skadimit, i cili ishte vendosur në një kuti plasitke dhe një sasi tjetër e mishit në një friz.

Sipas Policisë, lokali është mbyllur, ndërkohë që mishi dhe nënproduktet e mishit të gjetura në dy lokacionet, mbi 200 kg, nga inspektorët e AUV-it janë bllombuar, deri në krijimin e kushteve për asgjësim.

Lidhur me këtë rast – prodhim dhe vënie në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimorë, Policia thotë se është arrestuar një person i dyshuar dhe i njëjti me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.