Fshehja e “Range Rover” e dërgoi në gjykatë nënkryetarin e Kamenicës

I akuzuar për mos deklarim të pasurisë, nënkryetari i Komunës së Kamenicës Faton Jakupi, ka dalë para gjykatësit në Gjilan për t’u përballur me akuzën e Prokurorisë e cila atë e ngarkon me veprën penale të mosdeklarimit të pasurisë

Në seancën e sotme, gjykatësi Ramiz Azizi tha se kjo lëndë është dashur të gjykohet në Gjykatën e Kamenicës por për shkak të pozitës së të akuzuarit, porse Gjykata e Kamenicës ka kërkuar që lënda të bartet në Gjykatën e Gjilanit.

Në seancë, pasi aktakuza u konsiderua e lexuar, i akuzuari tha se nuk e pranon fajësinë për veprën penale me të cilën Prokuroria e Gjilanit e ngarkon.

Duke dhënë fjalën hyrëse, Prokurorja Bahtie Ademi tha se aktakuza është e bazuar mirë në prova dhe se deri në përfundim të këtij shqyrtimi gjyqësor do të vërtetohet se i akuzuari e ka kryer veprën penale me të cilën akuzohet.

I akuzuari Faton Jakupi, tha se deri në përfundim të shqyrtimit gjyqësor do të argumentohet pafajësia e tij.

Në seancë u dëgjua përfaqësuesja e Agjensionit Kundër Korrupsionit, Lendita Ademi.

“Lidhur me rastin konkret, duke shikuar dokumentacionin, kemi hasur në një mospërputhje dhe kemi parë se një veturë e tipit “Range Rover”, nuk figuron në dokumentacionin e palës. E kemi kontaktuar palën me shkresë zyrtare dhe i kemi kërkuar një sqarim shtesë. Ai na ka thënë se për veturën në fjalë ka qenë një pengesë nga Administrata Tatimore dhe se ajo pengesë e ka penguar tani të akuzuarin që të bartë pronësinë e asaj veture tek një person tjetër”, tha dëshmitarja Ademi.

Ajo tha se pasi i akuzuari e ka bërë deklarimin e pasurisë për vitin 2018 vetura “Range Rover”, ka qenë në pronësinë e të akuzuarit dhe se i njëjti nuk e ka deklaruar në formularët për deklarim të pasurisë. Ajo gjithashtu tha se vlera e veturës së padeklaruar nga i akuzuari Faton Jakupi, ka qenë mbi 15,000 euro.

Dëshmitari tjetër Erduan Morina, tha se të akuzuarin e njeh që nga viti 2012 dhe se i akuzuari ka shkuar në autosallonin e tij dhe i kanë ndërruar veturat.

“Nga Fatoni e kam marrë një “Range Rover”, kurse atij i kam dhënë një veturë tjetër “Golf 6”. Pas, afërsisht një muaji, veturën që e kam marrë nga Fatoni e kam shitur dhe e kam thirrur Fatonin për të bartur pronësinë tek blerësi i ri. Pastaj kur kemi shkuar për ta bërë çregjistrimin, nuk kemi mundur ta bëjmë pasi Fatoni e kishte pasur një borxh në ATK”, tha dëshmitari Morina.

I akuzuari Faton Jakupi tha se në pozitën e nënkryetarit të Komunës së Kamenicës është akoma dhe se e di se është i obliguar ta bëj deklarimin e pasurisë. Ai gjithashtu tha se në vitin 2018 nuk e ka paraqitur veturën e tipit “Range Rover”, në deklarimin e pasurisë pasi që atë e kishte shitur dhe se sipas tij nuk e ka pasur obligim ta bëjë të njëjtën.

Pas propozimit të Prokurores, seanca e sotme u shty për 25 maj, ku do të jepet edhe fjala përfundimtare.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Gjilanit, i akuzuari Faton Jakupi në cilësinë e nënkryetarit të Komunës së Kamenicës edhe pse ka qenë i obliguar të bëjë deklarimin e pasurisë, të njëjtën nuk e ka bërë.

Akuza thotë se i akuzuari Jakupi, gjatë vitit 2018 në formularin e dorëzuar më 22.03.2019 në AKK, nuk i ka paraqitur saktë të dhënat e kërkuara dhe nuk e ka deklaruar veturën e tipit “Range Rover”, edhe pse i njëjti ka qenë në pronësinë e tij.