FOTO - Vendi ku u kidnapuan tre policët

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka qëndruar për disa minuta në vendin ku janë kidnapuar tre policë të Kosovës, në fshatin Bare të Leposaviqit.

Ai tha se arrestimi i policëve nga autoritetet serbe është bërë në territorin e Kosovës.

“Sipas forenzikës këtu kanë hyrë disa automjete të policisë së Serbisë dhe i kanë arrestuar tre policët tanë, ende nuk e dimë se ku janë duke i mbajtur ata, por vetëm e dim që janë në Serbi” – tha Sveçla.

Ai tha se këto arrestime janë bërë si kundërpërgjigje për arrestimin e Millun Millenkoviq – Llune.

“Ne jemi duke biseduar edhe me bashkësinë ndërkombëtare për t`u koordinuar për hapat e ardhshëm”- tha Sveçla.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka shkuar në pikën kufitare në Jarinjë pas rastit të rrëmbimit të tre policëve të Kosovës nga njësitë speciale të Policisë së Serbisë.

Sveçla sot ka reaguar pas kidnapimit të siç e ka quajtur të tre zyrtarëve policorë kufitar në një pikë statike në vendin e quajtur ‘Tresave’.

“Përderisa rendi dhe ligji po zbatohet në vendin tonë, Serbia kriminale ka hyrë në territorin e Kosovës dhe ka kidnapuar 3 zyrtarë policorë të Republikës së Kosovës, në shkelje të çdo marrëveshje e kundër çdo parimi të normave ndërkombëtare”- ka thënë Sveçla në postimin e tij në Facebook.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se tre zyrtarë policorë kufitar patrullues janë siç thonë ata kidnapuar nga forcat serbe.

Policia e Kosovës (PK), në këtë rast njësia policore patrulluese e kufirit ka qenë me detyre në pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare, thellë brenda në territorin e Republikës së Kosovës, për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, të cilat shfrytëzoheshin nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë.