Foto: Facebook/Shpejtim Bulliqi

Flamujt e Ibrahim Rugovës në tubimin e Vetëvendosjes

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur tubim zgjedhor sot në Podujevë.

Para qindra qytetarëve, planprogramin qeverisës e kanë paraqitur kandidati për kryeministër, Albin Kurti, dhe kandidatët për deputetë nga kjo anë e Kosovës: Ajet Potera, Sabri Kiçmari, Saranda Bogujevci e Shpejtim Bulliqi.

Ky i fundit tha se Kosova me qeverisjen Kurti do të jetë një shtet i kompletuar, dinjitoz dhe i cili do të angazhojë të gjitha zanatet, profesionet e talentet e qytetarëve tanë.

Kurse, kandidati për kryeministër Albin Kurti tha se dija, puna, toka, kultura dhe sporti nuk do të kenë asnjë mbështetje mangut nga qeveria e drejtuar prej tij.

“Sot kemi për rivalë kundërshtarë të frikësuar e të tjerë që frikësojnë, dhe kur frikësohesh përfundon tek ata që ua ke frikën”, ka thënë Kurti lidhur me rivalët politikë.

Ajo që bie në sy në këtë tubim të Vetëvendosjes është prania e flamujve të presidentit Ibrahim Rugova, dhe e flamujve amerikanë.

Ndoshta, me flamurë të Rugovës mund të ketë qenë ndonjë përkrahës i kandidatit për deputet, Shpejtim Bulliqi, i cili nga LDK ka kaluar në Vetëvendosjes pas përplasjeve që kishte pasur në debatin për demarkimin e kufirit me Malin e Zi.

Për dallim nga ish-partia e tij, Bulliqi ka qenë kundër marrëveshjes për demarkimin e kufirit me Malin e Zi, në bazë të së cilës territor i Kosovës i jepej shtetit fqinj.

Ndërkohë, kryetari i VV-së, Albin Kurti, po i reziston presionit për të bërë homazhe te varri i presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova.