Foto: CBN News

Festa e Halloween-it, 'Trafiku Urban' apel për prindërit dhe fëmijët

“Trafiku Urban” në Prishtinë ka dalë me një apel drejtuar prindërve dhe fëmijëve lidhur me festën e Halloween-it që shënohet sonte.

Përmes një njoftimi, “Trafiku Urban” ka kërkuar nga prindërit dhe fëmijët që gjatë festimeve për festën e Halloweenit të mos godasin me vezë apo gjësende tjera autobusët e linjave urbane në Prishtinë.

“Trafiku Urban” thotë se do të bashkëpunojë me autoritetet përkatës për ata që dëmtojnë pronën e kësaj ndërmarrje publike.

“Sot, me rastin e Halloween, ju lutemi të kujdeseni që fëmijët tuaj të mos godasin me vezë apo gjësende të tjera autobusët, pasi kjo mund të rrezikojë udhëtarët dhe sigurinë në rrugë në përgjithësi. ‘Trafiku Urban’ është në shërbim të të gjithëve, andaj ju lusim të mos dëmtoni pronën e përbashkët. Në të kundërtën ndërmarrja do të përdorë kamerat e vendosura në autobusë dhe në bashkëpunim me institucionet e rendit do të sigurohet që ata që e dëmtojnë pronën të ndëshkohen”- thuhet në njoftimin e “Trafiku Urban”.

Halloween është festë e vjetër kelte (Irlandë) që shënohet çdo vit më 31 tetor, njihet si nata e rikthimit të shpirtrave të vdekur, errësirës, shtrigave me fshesë, maceve të zeza e çdo gjëje të frikshme.