Ferizi: 30 vajzave të mitura nga Mitrovica iu publikuan fotografitë në "TikTok"

Aktivistja Neri Ferizi në emisionin “Kallxo Përnime” ka treguar për një rast që përmes platformës “TikTok” u ngacmuan 30 vajza të mitura në Mitrovicë.

Ajo thotë se kanë kërkuar nga deputetët e Kosovës që “TikTok” të bllokohet në Kosovë për shkak të mungesës së kontrollit.

“Jua kanë publiku fotografitë dhe i kanë quajtur me epitete të ndryshme. Shkuam në Polici por për mua ishte zhgënjyese sepse nuk donin të merrnin dëshminë time dhe videot i kishin në “TikTok”. Kanë kërku me qenë viktimat aty, i kam bindur me shku por kur e kanë përfundu dëshminë Policia më ka thënë se nuk ka shansa me i gjetë sepse “TikTok”-u nuk jep të dhëna për këta persona” – deklaroi ajo në emisionin “Kallxo Përnime”.

Tutje Ferizi thotë se jashtë Prishtinës është më e vështirë të luftohen rastet e tilla të ngacmimeve.

Mungesa e besimit në institucione është problematikë, sipas Ferizit. Ajo thotë se gratë nuk po u besojnë institucioneve as për ofrimin e ndihmës juridike falas.

Në emisionin “Kallxo Përnime” po diskutohet për veprimet e grupit ‘AlbKings’ dhe arrestimin e disa prej tyre.

Shumë gra e vajza të Kosovës janë bërë viktimë e një grupi, të quajtur “AlbKings” në rrjetin social “Telegram”.

Ky grup ka shpërndarë numra të telefonave të grave e vajzave, duke i shqetësuar, ngacmuar apo edhe duke u përpjekur t’i shantazhojnë.

Shënim: Redaksia e KALLXO.com ka vendosur që për shkak të sigurisë kibernetike të gazetarëve të mbulojë emrin e gazetarëve.