Foto: KALLXO.com

Ferizaj, fillon gjykimi për anulimin e deklaratës trashëgimore

Në Gjykatën e Ferizajt është mbajtur seanca për anulim të deklaratës trashëgimore në çështjen e paditësve Igballe Sadiku dhe Burim Sadiku ndaj të paditurve Ajnishahe Murati dhe Basri Murati.

Paditësit Igballe Sadiku dhe Burim Sadiku po kërkojnë anulimin e deklaratës trashëgimore ndaj të paditurve Ajnishahe Murati dhe Basri Murati.

Seanca e sotme, e cila ishte përgatitore, ka filluar me deklaratat e palëve ndërgjyqëse lidhur me objektin e kerkesë-padisë. Pala paditëse kërkoi nga Gjykata që padia e tyre të aprovohet kurse të paditurit kërkuan që fillimisht të pajisen me shkresa të lëndës ashtu që të mund të deklarohen.

Përfaqësuesi i paditësve, avokati Bahtir Troshupa, tha se pasi që lënda është kthyer në rigjykim, paditësja nuk ka pasur qasje në deklaratën trashëgimore.

“Konform ligjit e bëjmë precizimin e kërkesë-padisë ashtu që kërkojmë edhe anulimin e procesverbalit të seancës së datës 05.05.2005. Gjithashtu kërkojmë anulimin edhe të deklarates së trashëgimisë, anulimin e aktvendimit të trashëgimisë dhe kërkojmë vërtetimin e të drejtës së pronësisë mbi bazën e trashëgimisë ligjore në 1/3 e masës së tërësishme të pasurisë së trashëgimlënësit Musli Murati”, tha avokati Troshupa.

Tutje avokati Troshupa tha se paditësja të cilën ai e përfaqëson ka qenë në lajthim nga Basri Murati lidhur me pjesën trashëgimore.

“Ndikimi i Basri Muratit e ka vënë në lajthim paditësen pasi ai i ka thënë se kinse babai i tyre u ka lënë vetëm 21 ari dhe se do ta ndajnë në pjesë të barabarta. Kurse Gjykata nuk e ka konstatuar masën e trashëgimisë në procesverbal duke përfshi aktiven dhe pasiven, ku vetëm aktiva përbën mbi 82 ari, kurse pjesa pasive është detyrim i trashëgimtarëve që të bartin 4 ari në një blerës të cilit vetë ia ka shitur Musli Murati”, tha tutje avokati Bahtir Troshupa.

Kurse Visar Musa, i cili e përfaqëson të paditurin Basri Murati, tha se i kundërshton në tërësi të gjitha thëniet e palës paditëse.

“Nga fakti se i autorizuari i paditëses e ka dorëzuar një parashtresë dhe të cilën ne nuk e kemi parë, lidhur me këtë nuk mund të deklarohemi. Gjithashtu nuk mund të deklarohemi lidhur me atë që pala paditëse e ka ndryshuar kerkespadinë. Sapo i autorizuari i paditëses të dorzoj në gjykatë atë parashtresë, i propozoj gjykatës që të na jap një afat shtes që të mund të bëjmë përgjigje në padi ashtu siq tha i autorizuari i paditëses. Deklaraten e përfaqesuesit të paditëses e kundërshtojmë në tërsi si të pa bazuar dhe të pa argumentuar, megjithëse do të deklarohemi edhe me shkrim. Sa i perket propozimit për dalje në terren dhe nxjerrjen e dosjes trashëgimore nga arkivi, konsiderojmë se janë propozime të parakohëshme”, tha avokati Musa.

Pas propozimeve për prova të reja, seanca e sotme do të vazhdojë më 28 maj.

Sipas padisë, është shqyrtuar procedura e trashëgimisë së pasurisë së paluajtshme të të ndjerit, babait të paditëses Musli Murati me ç’rast është nxjerrë aktvendim i ish-Gjykatës Komunale me të cilin, paditësja është shpallur trashëgimtare e 1/11 pjesë të parcelave kadastrale të evidentuara në fleta poseduese.

Tutje sipas padisë, paditësja kishte dhënë deklaratë me premtim se në të njëjtat parcela të cilat e përbëjnë një tërësi fizike nga ato do të i ndaheshin 1/11 pjesë, aty ku ajo dëshironte.

Gjithashtu në padi thuhet se meqenëse të dy pjesëmarrësit e trashëgimisë, tani të paditurit kishin tërhequr premtimin për ndarje të 1/11 sipas dëshirës së paditëses dhe që e njëjta në procedurë kontestimore nuk ka mundur që të arrijnë pëlqim, kishte vendosur që të tërhiqte deklaratën mbi trashëgiminë dhe të njëjtën ka kërkuar që të modifikohet në procedurë kontestimore dhe pjesëmarrja e saj të shtohet në pjesë ideale, nga 1/11 pjesë në 1/3 e parcelave.

Paditësja gjithashtu konsideron se meqenëse deklaratën e saj e kishte dhënë nën kushte të premtimit dhe besimit se të paditurit do të jenë korrektë në ndarjen fizike të pasurisë simbolike të cilën paditësja dëshironte të marrë pjesë në pasurinë e babait të tyre, tani në kushte injoruese siç ajo konsideron, është detyruar që të anulojë deklaratën e saj, duke kërkuar përmes kësaj padie që në procedurë kontestimore t’i përcaktohet e drejta e saj në pjesën ideale vetëm te fleta poseduese nr.602 t’i rritet pjesëmarrja e saj dhe atë nga 1/11 në 1/3 e pjesës ideale të parcelave.

Paditësja Igballe Sadiku në bazë të kësaj padie ka kërkuar nga Gjykata të anulojë aktvendimin T.nr.84/2005, bashkë me deklaratën e saj, dhe të njëjtën ta shpallë trashëgimtare të 1/3 së parcelave kadastrale nr.267/1,267/2 dhe 308, të fletës poseduese nr.602 në pjesën ideale që paraqet 0.27 ari e 53 metra katrorë.