Fatmir Matoshi- Ministër

Fatmir Matoshi reagon lidhur me raportimin për 'zbllokimin e lejeve për hidrocentrale'

Ministri në largim i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, ka thënë së ndërtimi i hidrocentraleve do të bëhet paraprakisht duke respektuar kushtet dhe vullnetin e komunave dhe qytetarëve të tyre.

Ky reagim vije pasi që KALLXO.com raportoi se Matoshi ka zhbllokuar lejen e ndërtimit të hidrocentraleve, i njëjti nuk ishte përgjigjur në pyetjet e dërguara nga KALLXO.com lidhur më këtë temë.

Ai në rrjetin social ‘Facebook’, është lavdëruar që ka njoftuar Zyrën e Rregullatorit të Energjisë që asnjë hidrocentral në Kosovë nuk ka leje mjedisore, që sipas tij, kjo nënkupton që nuk mund të lejohet nga ZRRE që të shesë energji, pa u pajisur me leje mjedisore.

Matoshi ka thënë së “ministri nuk është autoritet që jep apo ndalon leje, secila e drejtë dhe përgjegjësi është e rregulluar me ligj”.

“Që nga koha kur ndërtimi i hidrocentraleve është proklamuar si investim strategjik e deri me tani, mbas 10 vite, askush nuk ishte marrë me mënyrën se si ata kanë operuar, prodhuar dhe shitur energji. Legjislacioni ynë në fushën e ndërtimit të hidrocentraleve i mundëson qytetarëve të vendit, që pa vullnetin e tyre, të mos fillohet asnjë ndërtim i tillë. Poashtu asnjë procedurë më tutje nuk vazhdon pa pëlqimin e Kuvendit Komunal ku ndërtohet hidrocentrali, dhe pa autorizimin preliminar nga ZRRE”, ka shkruar Matoshi, të enjten.

Gjithashtu ai u shpreh i kënaqur së gjatë periudhës sa është në krye të kësaj ministrie, “nuk ka lejuar që të ndërmerren vendime të paligjshme për ndërtimin e hidrocentraleve që nuk plotësojnë kriteret e parapara me ligjet në fuqi”.

KALLXO.com raportoi sot së një vendim kundërthënës është marrë nga ministri në largim i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi. Ai ka vendosur ta heqë bllokadën për hidrocentrale pa u plotësuar dy nga shkaqet që kishin çuar në bllokimin e procedurave për hidrocentrale që po i shkatërronin lumenjtë.

Matoshi është ministër në largim. Këtë vendim të madh për kompetencat e një ministri të mjedisit e ka marrë vetëm dy javë para zgjedhjeve.

Madje, ministri në largim që zgjidhet nga Kuvendi, si arsye për zhbllokimin e hidrocentraleve e ka përmendur pikërisht faktin që Kuvendi është jofunksional.

Bllokada e vendosur ndaj hidrocentraleve të reja dhe atyre që ishte në proces ishtë bërë më 23 prill të vitit 2018 nga ish-ministrja, Albena Reshitaj. Kjo bllokadë kishte ardhur si reagim pas disa protestave të organizuara në Deçan e Pejë.

Bllokada ishte thirrur në një marrëveshje ndërmjet Ramush Haradinajt, Kadri Veselit dhe Rasim Demirit, ku këta tre të fundit ishin dakorduar që të mos lëshoheshin leje për hidrocentrale.

“Mbi bazën e një marrëveshje të nënshkruar nga Ramush Haradinaj, Kadri Veseli dhe Rasim Demiri, kemi kërkuar një interpretim nga Zyra Ligjore e Kryeministrit. Përderisa të mos kemi një përgjigje të detajuar nga Zyra Ligjore e Kryeministrit, kërkoj që mos të merret asnjë hap për lëshimin e lejeve për ndërtimin e hidrocentraleve pasi që njëra nga pikat citon ‘Mbrojtja e Ambientit mjedisor, ndalimin e asgjësisë në resurset natyrore, dhe mos lëshimi i lejeve për ndërtimin e Hidrocentraleve’”, thuhet në shkresën e ministres Albena Reshitaj.

Përveç interpretim ligjor nga Zyra e Kryeministrit, kërkohej që të bëhet një studim i fizibilitetit për gjitha pikat potenciale ku mund të ndërtohen hidrocentralet.

KALLXO.com i ka siguruar korrespodencat në mes të ministrit në largim, Fatmir Matoshi, dhe sekretarit të MMPH-së, Arben Çitaku, për zhbllokimin e lejeve për hidrocentrale të cilin e kishte bllokuar Albena Reshitaj.

Ky komunikim zyrtar me email në mes dy personave kryesorë në ministrin e Mjedisit dhe një miratim i Matoshit me email ka mjaftuar që të zhbllokohen të gjitha proceset për lejet që janë kompetencë e MMPH për hidrocentrale.

Sekretari i MMPH-së, Arben Çitaku me 6 shtator të këtij viti, ka kërkuar nga ministri Matoshi që ta zhbllokojë këtë proces, duke thënë se marrëveshja në të cilën është thirrur Reshitaj, tashmë nuk është në fuqi, pas shpërbërjes së parlamentit.

“Duke iu referuar kërkesave të vazhdueshme të palëve lidhur me interesimin e tyre për pezullimin e shqyrtimit të akteve ujore dhe mjedisore si dhe obligimit të Ministrisë për zbatimin e Aktgjykimeve të Gjykatave kompetente të cilat e kanë obliguar Ministrin të rishqyrtojë disa nga vendimet e saj si dhe marrë në konsideratë që marrëveshja në të cilën është thirrur ish-ministrja Reshitaj, tashmë nuk është në fuqi si rezultat i shpërbërjes së parlamentit, e kemi shumë të domosdoshme që të kemi një sugjerim nga ana e juaj se si të veprojmë më tutje rreth kësaj çështje, në mënyrë që ta përmbushim obligimin tonë ligjor si institucion”, thuhet ndër të tjera në email-in që Çitaku ia ka dërguar ministrit Matoshi.

Ndërsa Fatmir Matoshi ia ka kthyer përgjigjen Çitakut, duke i sugjeruar që të bazohet në kornizën ligjore për vazhdimin e  shqyrtimit të kërkesave të tilla.

“Marrë për bazë faktin se në shkresën e ish-ministres Reshitaj, të cilën e keni pranuar përmes e-mailit me datën 23.04.208, ku ju është kërkuar që të mos ndërmerret asnjë hap për lëshimin e tyre dhe në harmoni me sqarimet e dhëna nga ana e juaj, ju sygjeroj që ju dhe departamentet përgjegjëse të fokusoheni në zbatimin e kornizës ligjore të paraparë për shqyrtimin e kërkesave të rasteve të këtilla dhe të veproni konform kësaj rregullative ligjore që është në fuqi, duke u kujdesur që trajtimi të jetë sa më transparent dhe mbikëqyrja të bëhet ashtu si e kërkon ligji”, është përgjigjia që ia ka kthyer Matoshi, sekretarit Çitaku.

KALLXO.com ka dërguar pyetje te ministri Matoshi të mërkurën gjatë ditës. Edhe pse ka thënë që brenda ditës do të kthejë përgjigje me shkrim në lidhje me këtë, deri në momentin e publikimit të artikullit ai nuk ka kthyer përgjigje.

Vendimi skandaloz para zgjedhjeve, ministri i zhbllokon lejet për hidrocentrale

.Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.