Familjarët e ish-presidentit Rugova jashtë listës së LDK-së për deputetë


Lidhja Demokratike e Kosovës pritet që deri nesër të plotësoj numrin prej 110 kandidatëve për deputetë të Kuvendit të Kosovës.

KALLXO.com përmes burimeve brenda LDK-së, ka kuptuar që Teuta Rugova nuk do të jetë pjesë e listës për deputet të kësaj partie.

Përveç Teuta Rugovës, në këtë listë nuk do të jetë as Ukë Rugova, i cili në Kuvendin e fundit zgjedhor ishte votuar për anëtar të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së.

“Ajo vet ka dashtë të largohet sepse po dëshiron me i vazhdu studimet në master. Gjithashtu mund ta konfirmoj se as vëllai i saj, Ukë Rugova nuk do të kandidohet për deputet”, ka thënë për KALLXO.com, ky burim brenda LDK-së.

Teuta Rugova ka qenë për dy mandate deputete e LDK-së. Ajo njihet për mungesat e shumta në seancat e Kuvendit të Kosovës.

Mirëpo, Teuta Rugova gjithashtu kishte votuar kundër vendimit të partisë, duke votuar Ramush Haradinajn për kryetar të Qeverisë në shtator të 2017-ës.

Në të kaluarën, pjesë e Kuvendit kishte qenë edhe Ukë Rugova, i cili kishte garuar përmes “Listës Rugova” në koalicion me AAK-në në vitin 2010.

Ukë Rugova është i akuzuar nga Prokuroria e shtetit për rastin e vizave.

Ai dyshohet për veprat penale krim i organizuar lidhur me veprat ushtrim ndikimi.

Aktakuzë Ndaj Ukë Rugovës

6 shtatori, do të jetë dita e fundit e afatit kur partitë politike duhet t’i dërgojnë në KQZ listat e kandidatëve për deputetë.

Zgjedhjet e parakohshme për Kuvend të Kosovës do të mbahen me 6 tetor.